Lidhje

SHBA dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje për pakësimin e armëve strategjike


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje që i angazhon të dy vendet për pakësimin e ndjeshëm të armëve të tyre strategjike dhe shtrat-hedhëseve të raketave.

Marrëveshja e nënshkruar nga Presidenti amerikan Barak Obama dhe homologu i tij rus, Dmitri Medvedev, në takimin e nivelit të lartë në Moskë, instrukton negociatorët e të dy vendeve të finalizojnë një marrëveshje për zëvendësimin e traktatit për kufizimin e armëve strategjike, START, që skadon në dhjetor të këtij viti.

Marrëveshja parashikon pakësimin e mbushjeve nga 2200 në 1500 deri në 1675 dhe të shtrat-hedhëseve nga 1600 në 500 deri në 1100.

Presidenti Medvedev tha se në takim u diskutuan të gjitha çështjet e parashikuara në rendin e ditës, përfshirë edhe një sërë çështjesh të prapambetura dhe e përshkroi takimin si të dobishëm, të hapur dhe të sinqertë.

Presidenti Obama theksoi rëndësinë e pakësimit të armëve strategjike, duke thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, si dy fuqitë më të mëdha bërthamore të botës, duhet të udhëheqin me shembullin e tyre.

Të dy presidentët njoftuan gjithashtu se mund të rishqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes nga raketat.//lk


XS
SM
MD
LG