Lidhje

SHBA dhe Rusia arrijnë marrëveshje për pakësimin e armëve bërthamore


Presidenti amerikan Barak Obama u takua me homologun e tij rus Dmitri Medvedev dje në kuadër të përpjekjeve të SHBA për të 'qetësuar' marrëdhënien mes dy vendeve. Duke folur në një konferencë shtypi mbas disa orë bisedimesh në Kremlin, të dy udhëheqësit përqëndruan një vëmendje të konsiderueshme në çështjet ushtarake- kryesisht në zvogëlimin e armëve bërthamore.

Presidenti Medvedev tha në një konferencë shtypi në Kremlin se bota po ndryshon për keq me dëshirën në rritje të fuqive që duan të sigurojnë armë bërthamore.

Z. Medvedev tha se ka rajone ku prania e armëve bërthamore mund të krijojë probleme kolosale. Ai cilësoi Lindjen e Mesme dhe gadishullin e Koresë si një kërcënim bërthamor. Për këtë arsye, udhëheqësi rus tha se se vendi i tij duhet të bashkëpunojë sa më ngushtë që të jetë e mundur me SHBA.

Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë caktuan si pikësynim që të zvogëlojnë arsenalin bërthamor të vendeve të tyre mes 1,500 deri në 1,675 mbushje raketash secili për 7 vjet. Numri i lëshuesve të raketave do të zvogëlohet mes 500 deri 1,100 për çdo vend.

Presidenti Obama tha se të dy vendet do të firmosin një marrëveshje të re për reduktimin e armëve strategjike në kohën kur marëveshja aktuale START skadon në Dhjetor.

" Ne kemi ndërmarë hapa të rëndësishëm drejt shtimit të sigurisë dhe ndalimit të shpërndarjes së armëve bërthamore. Kjo nis me zvogëlimin e arsenalit tonë bërthamor. Dy fuqitë që udhëheqin botën me armë bërthamore, duhet të japin shembullin e tyre".

Por analisti i pavarur ushtarak rus Alexandër Konolakov është skeptik për rëndësinë e një marrëveshje të re START. Ai tha se nuk është ndonjë ndryshim i madh nëse Rusia ka 2000 armë bërthamore dhe SHBA ka 1000 armë ose e kundërta. Konovalov thekson se secili numër i armëve bërthamore është sasi e pamjaftueshme për të frenuar potencialet kërcënuese.

Konovalov thotë se një balancë mes Amerikës dhe Rusisë është më e rëndësishme.

Presidenti Obama shprehu vlerësim për një marrëveshje në Kremlin që lejon transportin e armëve përmas territorit të Rusisë për përpjekejt e Natos në Afganistan.

Presidenti Medvedev tha se pa bashkëpunimin Rusi –SHBA, ka pak mundësi suksesi kundër kërcënimit nga Afganistani, i cili përfshin terrorizmin dhe trafikun e drogës.

Analisti Aleksandër Konovalov tha se marëveshja është një hap i rëndsishëm përpara.

Konovalov tha se marrëveshja demonstron kuptueshëm që Rusia dhe SHBA përballen me një kërcënim të përbashkët. Ai thekson se marrëveshja lejon për një numër të madh fluturimesh, transportesh tokësore dhe gjithë llojeve të ngarkesave.

Presidenti Obama shfaqi tek aleati i tij rus shqetësimet rreth një propozimi të SHBA për sistemin mbrojtës me raketa në Europën Qëndrore, duke njoftuar se të dy palët duhet të përcjellin një vlerësim të përbashkët për kërcënimin që paraqet Irani dhe Koreja e Veriut. Megjithatë të dyja palët kanë mbetur tek mendimet e mëparshme për sistemin.

Një tjetër analist i pavarur në Moskë, Pavel Felhgenhauer tha se shumica e marrveshjeve mes presidentëve Obama dhe Medvedev janë gjeste simbolike për të krijuar një atmosferë pozitive e për të shpresuar për zgjidhjen e problemeve më të vështira në të ardhmen. Felgenhauer thotë se probleme të tilla përfshijnë tensionet në Gjerogji, dhe shitjen e raketave ruse në Siri dhe Iran.

Felgenhauer tha se pritet që të shihet se sa do të zgjasë atmosfera pozitive Rusi- SHBA; pak javë, muaj, ose me gjasa të mira, pak vite.

SHBA dhe Rusia gjithashtu arritën marrëveshje për krijimin e një komisioni i cili do të kërkojë që të përcaktojë fatet e njerëzve të tyre të humbur në detyrë gjatë luftës së dytë Botërore, luftës së Koresë, Vietnamit, Luftës së Ftohtë dhe Afganistanit.

Presidenti Obama ka thënë shumë shpesh në të kaluarën, se Rusia dhe SHBA kanë komunikuar në rang të ngushtë për këto çështje ose kanë lejuar metodat e vjetra me burokracitë e tyre që të qëndronin në rrugën e progresit. Për këtë arsye, ai njoftoi krijimin e një komisioni dypalësh presidencial i cili do të punojë mbi çështjet të tilla si ekonomia, energjia, ambjenti, energjia atomike, kontrolli i armëve, siguria ndërkombëtare, mbrojtja, politika e jashtëme dhe kundraterrorizmi. //mm//



XS
SM
MD
LG