Lidhje

Presidenti Sejdiu mban fjalimin vjetor ne Parlament


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje sot pjesëtarëve të komunitetit serb që të integrohen në jetën politike në vend, ndërsa Beogradit të heq dorë nga mbështetja e strukturave paralele, si kusht për rindërtimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai i bëri këto komente në fjalimin vjetor në Parlamentin e Kosovës, që u bojkotua nga një pjesë e opozitës.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj ka dëshmuar se është faktor i paqes së qëndrueshme në rajon dhe do ngulë këmbë në paprekshmërinë e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.

“Nuk do të lejojmë në asnjë çast cenimin e interesave tona nacionale, ndërkohë që do të pohojmë fuqishëm se jemi jetësisht të interesuar për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje të rajonit, pse jo edhe me Serbinë, me kusht që ajo të heqë dorë nga politikat e destruktivitetit dhe të shantazhit ndaj Kosovës. Rindërtimi i këtyre marrëdhënieve është i pamundur, sa kohë që Serbia do t’i sponsorizojë strukturat paralele në veri të vendit tonë, në mesin e të cilave ka plotë persona të inkriminuar në krime të rënda, të cilët i kanë shumë borxh popullit të Kosovës, por edhe popujve të tjerë të rajonit, dhe në rend të parë drejtësisë”.

Presidenti Sejdiu u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të integrohen në jetën politike në vend duke i siguruar ata për kujdesin e institucioneve të vendit.

“Me kënaqësi mund të theksojmë se në Republikën e Kosovës, gjatë këtij viti, nuk është shënuar asnjë incident me motive etnike. Ky është një argument i fuqishëm se Kosova është atdhe i përbashkët për të gjithë qytetarët e saj të barabartë, pa dallim kombi, feje apo etnie. Me bindje pohojmë se prishësit e rendit dhe të qetësisë publike, kundërshtarët e paqes dhe të ardhmërisë së përbashkët dhe evropiane të qytetarëve të Kosovës, janë në shërbim të atyre që nuk e duan Kosovën e pavarur, që nuk e duan demokracinë e saj, që nuk e duan Kosovën pro perëndimore”.

Presidenti Sejdiu u bëri thirrje të gjithë personave të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre ndërsa shfaqi shpresën se pjesëtarët e komunitetit serb do të bëhen pjesë edhe e zgjedhjeve të sivjetme për pushtetin lokal.

Fjalimi i presidentit u bojkotua nga dy parti opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë. Përfaqësuesit e tyre Ardian Gjini e Lulzim Zeneli thanë se presidenti është, siç u shprehën ata, shkelësi më i madh i Kushtetutës.

“Presidenti e ka shkelë Kushtetutën disa herë. Nuk ka treguar vullnet për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me opozitën, është vonuar me fjalën e tij dhe arsyet tjera që ndërlidhen me vetë funksionimin e institucionit të presidentit, i cili është shndërruar në president të pushtetit dhe jo president të Kosovës”, tha zoti Gjini.

“Presidenti i vendit, vazhdon të sillet në bazë të një skenari të papërgjegjshëm dhe është pjesë e pazareve politike që të rrënojë institucionin e Kuvendit, të rrënojë autoritetin e Kuvendit dhe ta rrënojë sistemin demokratik në vend”, tha zoti Zeneli.

Këto dy parti shfaqën pakënaqësinë e tyre me moslejimin e debatit pas fjalimit të presidentit, ndërsa pretendojnë se ai po vepron në kundërshtim me Kushtetutën duke mbajtur postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kritika i janë bërë edhe për siç thuhet injorimin e opozitës gjatë përcaktimit të periudhës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Presidenti Sejdiu mendon ndryshe.

“E para, unë nuk kam shkelë kushtetutën. Unë mbaj pozicionin e presidentit të vendit ashtu siç jam zgjedhur në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Natyrisht, kam të pezulluar ushtrimin e funksionit të një posti politik Dhe, Kushtetuta shumë e qartë është në atë drejtim dhe unë i përmbahem asaj shkrese, norme që është recidive. E dyta, rreth konsultave me partitë politike - unë kam zhvilluar konsulta me të gjitha partitë politike dhe s’është e vërtetë ajo që thuhet kjo apo ajo datë; kam nxjerr afërsisht një datë të përshtatshme për punë të mirë, që duhet të bëjnë institucionet në përgatitjen e zgjedhjeve”, tha ai.

Presidenti Sejdiu ka caktuar 15 nëntorin datë të zgjedhjeve lokale, të parat që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

XS
SM
MD
LG