Lidhje

Përse nuk shkon presidenti Obama në Kenia?


Presidenti Barak Obama ka në plan të vizitojë Ganën këtë javë në udhëtimin e parë në Afrikën nën-Sahariane si president. Shumë kenianë megjithatë kanë pritur që udhëtimi i parë presidencial i zotit Obama të përfshinte vendin afrikanolindor ku ai ka lidhje familjare.

Fitorja ishte e madhe për kenianët mëngjesin e 5 nëntorit … pasi votuesit amerikanë zgjodhën Barak Obamën si president të Shteteve të Bashkuara. Gjyshja e presidentit, Sarah Obama ende jeton në fshatin Niangoma-Kogelo ku i jati i zotit Obama lindi dhe u rrit. Shumë vetë e panë fitoren e zotit Obama si sinjalin e një epoke të re për Kenian dhe pjesën tjetër të Afrikës. Kryeministri kenian Raila Odinga në një intervistë vitin e kaluar.

"Ne duam të ketë më shumë qasje ndaj mallrave afrikane në tregjet amerikane por duam gjithashtu të shohim edhe më shumë investime direkte amerikane në Kenia".

Por ndërsa presidenti Obama përgatitet për udhëtimin e tij në Ghana, janë ngritur pyetje përse ai nuk do të shkojë në Kenia. Mwalimu Mati është drejtor i grupit politik Mars.

"Mendoj se duke u nisur nga komentet e fundit të Departamentit të Shtetit apo të ambasadës amerikane në Nairobi, qeverisja përbën shqetësim. Kjo është mënyra që kenianët ka të ngjarë ta interpretojnë këtë fakt – se ka diçka që nuk shkon me qeverinë tonë dhe kjo është arsyeja që atyre do t’u mungojë ai që ndoshta duhet të ishte një nga udhëtimet e para të Barak Obamës".

Qeveria keniane është kritikuar për mënyrën e shtypjes së dhunës që pasoi zgjedhjet e debatueshme të 2007-ës. Kriza bëri që grupe të ndryshme politike dhe etnike të luftonin kundër njëra tjetrës. Gati 1 mijë vetë u vranë. Qindra mijëra të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre.

Për të rivendosur stabilitetin, dy kandidatët kryesor formuan një qeveri koalicioni që ndau pushtetin dhe përgjegjësitë mes presidentit Mwai Kibaki dhe kryeministrit Raila Odinga. Por grindjet politike dhe një seri skandalesh dhe protestash kanë tronditur qeverinë e brishtë të koalicionit.

"Koalicioni nuk po respekton liritë civile dhe politike dhe është i mbërthyer nga korrupsioni. E shoh shumë të arsyeshme që Obama nuk do që të vihet në një pozicion të sikletshëm të qortimit të vendit të tij edhe pse ky qortim është i meritueshëm".

Këtu përfshihen akuza për brutalitetin e policisë, mosdënimi i figurave të larta politike ndaj akuzave për korrupsion dhe dhunë të organizuar si dhe shpërdorimet qeveritare. Por ata që janë në qarqet qeveritare thonë se ngjarjet e fundit politike në Kenia nuk kanë të bëjnë me vendimin e presidentit Obama për të vizituar Ghanën. Zëdhënësi i qeverisë Alfred Mutua.

"Presidenti amerikan shkon ku të dojë. Ai nuk ka thënë se nuk do që të vijë në Kenia. Nuk ka ndonjë kod zyrtar që të thotë se duhet të vijë në Kenia në udhëtimin e tij të parë në Afrikë".

Zëdhënësi thotë se qeveria po bën përparim në përpjekjet e saj për reforma. Të tjerë thonë se presidenti Obama ka arsye strategjike të zgjedhë Ganën para Kenias. Avokati Kamotho Waiganjo është komentator politik dhe profesor univesiteti. Ai thotë se Gana ka reputacionin e një vendi të qëndrueshëm, një demokraci e suksesshme që respekton institucionet.

"Sigurisht, ka gjithashtu edhe një lidhje tradicionale mes Amerikës dhe Ganës pasi në se ju kujtohet Gana ishte Bregu i Skllevërve. Ky është vendi përmes të cilit shumë nga afrikano-amerikanët u nisën. Pra ka një lidhje shumë më të madhe sesa lidhja e presidentit Obama me Kenian".

Kenianëve u duhet të presin për vizitën e parë të zotit Obama në vendin e tij të origjinës. //rd//

XS
SM
MD
LG