Lidhje

Kosovë: Zbulohet një varrezë masive në Kmetoc


Zyrtarë të policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian thanë sot se janë duke hulumtuar një varrezë masive në lindje të Kosovës.

Ata thanë se trupat e të paktën tetë njerëzve janë gjetur në një varrezë në fshatin Kmetoc që ndodhet në rrugën që lidh Gjilanin e Kamenicën, dy qytete në lindje të vendit.

Ekspertët e mjekësisë ligjore po hulumtojnë varrezën, e cila është gjetur në një zonë ku sipas dëshmitarëve, forcat serbe kishin ngritur për një kohë të gjatë një postbllok gjatë luftës së Kosovës.

Zyrtarët thanë se ende nuk dihet se cilat mund të jenë viktimat e zbuluara. Mbi 10 mijë shqiptarë janë vrarë gjatë luftës në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Trupat e një pjese prej tyre janë gjetur në varreza masive ne vende të ndryshme në Kosovë por edhe në Serbi.

Edhe dhjetë vjet pas përfundimit të luftës është i paqartë fati i 1 mijë e 900 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG