Lidhje

Obama kthehet në SHBA pas turneut në Europë dhe Afrikë


Presidenti Barak Obama u kthye në Uashington pas një turneu në Europë dhe Afrikë.

Dje, presidenti u bëri thirrje afrikanëve të marrin mbi vete më shumë përgjegjësi për t’i dhënë fund varfërisë, luftës dhe korrupsionit në kontinentin e tyre.

Zoti Obama i bëri komentet gjatë vizitës njëditëshe në Ganë, udhëtimi i tij i parë në Afrikën nënsahariane që kur u zgjodh presidenti i parë afrikano-amerikan.

Në një fjalim të mbajtur dje në parlamentin e Ganës, ai tha se në shumë vende të Afrikës mungon qeverisja e mirë. Afrika, tha ai, nuk ka nevojë për politikanë të fortë por për institucione të forta.

Zoti Obama foli për "një moment të ri premtimi" dhe u bëri thirrje afrikanëve të marrin në kontroll fatin e tyre.

Pika më emocionale e qendrimit të tij në Ganë ishte vizita në një kështjellë nga ku dikur mijëra afrikanë dërgoheshin si skllevër në Amerikë.

Mbrëmë, para se të largohej nga Gana, Presidenti Obama tha se nuk do ta harrojë kurrë imazhin e vajzave të tij, pasardhëse të afrikanëve dhe të afrikano-amerikanëve, duke ecur nëpër dyert e kështjellës dikur pa kthim, e pastaj duke u kthyer andej nga hynë.

Zoti Obama tha se kështjella i kujtoi vizitën në një kamp gjerman përqendrimi të Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se të dyja vizitat e shtynë të mendojë për aftësinë e njeriut për të bërë të këqia.

Presidenti Obama theksoi se ishte veçanërisht e rëndësishme për vajzat e tij që të shihnin qendrën e skllevërve dhe të kuptonin se si historia mund të marrë kthesa mizore.//ii

XS
SM
MD
LG