Lidhje

Hejstings: Shqipëria bëri një hap përpara me zgjedhjet


Kongresmeni amerikan Ellsi Hestings, i cili ishte në Shqipëri me misionin e vëzhguesve të OSBE-së, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se si anëtare e NATO-s, Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm përpara dhe transparenca e përgjegjshmëria ishin një pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor. Ai thotë se disa probleme teknike ishin të pamjaftueshme për errësimin e votimeve, apo për t’i bërë ato të pavlefshme dhe Shqipëria duhet të jetë krenare për këtë.

Zëri i Amerikës: Kongresmen Hastings, ju ishit ne Shqiperi me misionin e zëvendëskryetarit të Misionit të OSBE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një deklaratë tuajën më 29 qershor, thonit se “transparenca e numërimit do të përcaktojë suksesin e zgjedhjeve”. Tani që numërimi thuajse ka përfunduar, cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet?

Kongresmen Alcee L. Hastings: Fillimisht, mendoj se zgjedhjet u zhvilluan të qeta dhe me rregull. Mendimi im është se ashtu sikurse disa here në zgjedhjet e shtetit tim Florida, pati një numër të vogël problemesh teknike, dua të përmend atë të bojës, në 2 raste nuk pati një numër të mjaftueshëm fletësh votimi, disa difekte të vogla, si votimi familjar, që për mua personalisht, nuk është ndonjë shkelje e madhe. Shkova në 11 qendra votimi në Tiranë, në Durrës dhe në Kavajë. Në asnjërin prej tyre nuk pashë ndonjë problem. U zhgënjeva pak që nuk kishte shumë gra në komisione. Do të thoja se zgjedhjet ishin shumë më gjithpërfshirëse se ato të mëparshmet, pra përshtypja ime e përgjithshme ështe se zgjedhjet shënuan qartë një përmirësim nga ato të mëparshmet.

Zëri i Amerikës: Këto janë zgjedhjet e para që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe për këtë arsye, pritej shumë për realizimin e tyre me nivel të lartë. A mendoni se me këto zgjedhje Shqipëria i përmbushi standardet ndërkombëtare për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike?

Kongresmen Alcee Hastings: Si anëtare e NATO-s, unë mendoj se Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm përpara dhe në deklaratën që unë bëra, thuhej se ishte një tregues i mirë, që transparenca dhe përgjegjshmëria ishin një pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor... Prononcimi i misionit që përfshiu Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, Këshillin e Evropës, dhe Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR-in që janë vëzhgues afatgjatë, ishte se pati probleme, por ato nuk ishin të mjaftueshme për errësimin e votimeve, apo për t’i bërë ato të pavlefshme. Shqipëria duhet të jetë krenare për këtë. Si vëzhgues plotësisht objektiv, që nuk njoh personalisht asnjërin prej kandidatëve të partive të ndryshme, mendoj se zgjedhjet u zhvilluan të drejta, me disa të meta të vogla, që besoj se do të rregullohen me kohë. Do të thosha, se Shqipëria e kapërceu urën.

Zëri i Amerikës: Ju keni vëzhguar zgjedhjet në vende të ndryshme të botës. Bazuar mbi eksperiencën tuaj, a është diçka e pazakontë zgjatja e procesit të numërimit të votave?

Kongresmen Alcee Hastings: Jo, unë isha në Gjeorgji dhe u desh një kohë e gjatë për të nxjerrë rezultatin. Pa folur për disa vende që janë të mëdha, si Rusia, për shembull. Në Shtetet e Bashkuara, ne kemi votim në mungesë, votim me shkrim dhe lloj lloj mënyrash. Edhe në zonën ku unë kam privilegjin të jem i zgjedhur, rezultatet përfundimtare vonojnë, prandaj nuk do ta cilësoja këtë si problem për Shqipërinë. Duke patur parasysh se u përcaktuan standarte të larta përsa i përket transparencës, do të thoja se në këtë aspekt, procesi ishte i jashtëzakonshëm. Disa vende shënojnë arritje në aspektin e transparencës, si Shqiperia, por çalojnë në aspekte të tjera. Shqipëra bëri diçka, që jo të gjitha vendet ku kam qenë unë e kanë bërë, që votimi të ishte transparent. Çdo fletë votimi vendosej para një kamereje elektronike, në secilën anë dhe të gjithë kishin mundësinë ta shihnin. E dija që do të ishte e pamundur të bëhej numërimi që ditën e dytë pas zgjedhjeve. Por me mënyrën se si ishte strukturuar procesi, do të ishte shumë e vështirë të bëheshin mashtrime ditën e zgjedhjeve. Kam parë shumë zgjedhje, në Evropë dhe në Amerikë, por nuk kam parë një proces më transparent se sa ai i Shqipërisë. Kërkon një kohë shumë të gjatë për numërimin, por mendoj se zgjedhjet treguan një përpjekje serioze për ta bërë më transparent dhe mirë procesin elektoral.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni për procedurat e reja në kodin elektoral, që synonin korrigjimin e disa mangësive nga zgjedhjet e mëparshme, a ishin ato të efektshme?

Kongresmen Alcee Hastings: Sigurisht, unë nuk e kam lexuar të gjithë kodin elektoral, por për mua e rëndësishme është që të gjitha grupimet që kandiduan kishin rënë dakord për këto ndryshime. Mendoj se duhet që partive të vogla t’u jepej më tepër hapësirë në media. Megjithëse Partia Demokratike në pushtet i fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet, duke mundur Partinë Socialiste që ishte partia kryesore në opozitë, mendoj se pavarësisht nga kërkesa për rinumurimin e votave, këto ligje elektorale i dhanë vendit më tepër mundësi për të patur zgjedhje te besueshme… Diçka që duhet te theksoj, ishte procesi i kartave të identifikimit. Nuk pashë në asnjë rast problem. Por do të shtoja se ishte një process i ri dhe mbeten ende disa çështje për t’u shqyrtuar.

Zëri i Amerikës: Ka patur kritika lidhur me politizimin e procesit. Çfarë ndikimi mendoni se ka patur politizimi tek procesi zgjedhor?

Kongresmen Alcee Hastings: Mbrëmjen që arrita ishin planfikuar mitingjet në sheshet kryesore të kryeqytetit dhe të gjithë mendonin se mund të kishte probleme. Por me sa pashë nga dritarja e hotelit, njerëzit e të dyja palëve brohorisnin dhe, natyrisht, kjo është politika. Dua të theksoj se nuk pati grindje, njerëzit ishin të veshur me bluzat e partive, u binin bilbilave dhe burive. Kjo ishte një shfaqje politike, por pikërisht, këtë bëjnë politikanët. Mendoj se gjithçka shkoi mirë dhe nuk pati asnjë lloj incidenti, askush nuk u pengua të shprehet. Për dikë që i humb zgjedhjet është shumë e thjeshtë të thotë se ato ishin farsë, por dua të theksoj se opozita mori pjesë në te gjitha diskutimet për ndryshimet e kodit elektoral, pra nëse ndonjëra nga partitë do të kishte fituar 85 përqind, apo 99 përqind të votave, në këtë rast do të thoja se zgjedhjet ishin farsë, por kjo nuk ndodhi. Unë mendoj se shqiptarët patën zgjedhje të vërteta dhe një garë të vërtetë.

Zëri i Amerikës: Është hera e parë në Shqipëri gjatë 18 vjetëve të demokracisë, që një parti e majtë bën koalicion me një parti të krahut të djathtë. Duke qenë diçka e pazakontë, kjo ka ngjallur diskutime. Cili do të ishte komenti juaj?

Kongresmen Alcee Hastings: Kur një parti nuk arrin të dominojë e vetme, kërkohet një qeveri koalicioni. Ka shume vende që i formojnë qeveritë e tyre në këtë mënyrë. Pra në se kemi dy parti, një të majtë dhe një të djathë, ato do të gjejnë qendrën për popullin tyre. Shqipëria ka probleme serioze të infrastukturës. Ajo duhet të luftojë korrupsionin që është i përhapur në vend. Do të duhen të majtët, të djathtët, të qendrës, të gjatë, e të shkurtër, të mëdhenj e të vegjël për t’i bërë këto ndryshime. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por ato do të realizohen. Kam mendimin se Shqipëria është në lëvizje, dhe shpresoj që vendi im të ndihmojë dhe vende të tjera të OSBE-së do ta ndihmojnë Shipërinë të përparojë më tej.

XS
SM
MD
LG