Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë mosmarrëveshjet për numërimin e votave


Në Shqipëri, vazhdojnë debatet rreth numërimit të votave në zgjedhjet e 28 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të hapë dhe të numërojë disa kuti votimi të qarkut të Fierit, në përpjekje për të plotësuar ankesat e partive politike në atë zonë. Partia Socialiste kërkoi me këmbëngulje numërimin e kutive në Fier, përndryshe, thotë ajo, nuk do të njohë zgjedhjet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë sot numërimin e 7 kutive të votimit nga komisionet e zgjedhore të zonës së Fierit, të cilat janë prej 2 javësh temë kryesore e debateve politike.

KQZ zhvilloi mbrëmë një mbledhje afro 6 orëshe gjatë të cilës u shqyrtuan ankesat e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike për Qarkun e Fierit.
Të shtatë komisionerët e morën vendimin me votat e tyre unanime, duke i hapur rrugën një numërimi të kërkuar me këmbëngulje nga socialistët, të cilët deklaruan se nuk do të njihnin zgjedhjet në rast se do të bllokohej Fieri dhe një mandat i tyri atje.

Përfaqësuesit kësaj partie thanë se disa komisionerë socialistë në Fier madje u kërcënuan në qendrat e votimit nga njerëz të armatosur.
Përveç akuzave nga Partia Socialiste, KQZ mori kritika edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët në një raport vëzhgimi kritikonin KQZ për mosndërhyrje në raste me shkelje.

Vëzhguesit ndërkombëtarë pohuan se nga 66 vendet e numërimit të votave ky proces u u krye keq ose shumë keq në 22 prej tyre, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zgjodhi shpesh të mos ndërhyjë në rastet kur në këto qendra kishte probleme, siç ishte rasti i Fierit.

“Dhënia e udhëzimeve të pamjafueshme për komisionet zonale dhe grupet e numërimit të votave si dhe mosveprimi në ato vende ku pati probleme, - thuhet në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë - shkaktuan debate në KQZ të cilat kishin të bënin me kohën dhe mënyrën e duhur për të zgjidhur këto probleme, në veçanti në lidhje me kutitë e panumëruara të votimit”.

Vëzhguesit theksuan gjithashtu se numërimi u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele te larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet zgjedhore.

Analistët e politikës në kryeqytet besojnë se hapja e kutive të Fierit nga KQZ mund të plotësojë pretendimet e socialistëve për saktësinë e numërimeve por nga ana tjetër nuk do të shmangë kritikat për vonesa në nxjerrjen e rezultateve, afro 2 javë pas ditës së zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG