Lidhje

Irak: Ndalim qarkullim në dy qytete të mëdha


Forcat irakiane të sigurimit kanë vënë në fuqi ndalim-qarkullimin e njerëzve e të makinave në dy qytete me popullësi kryesisht të krishterë, një ditë pasi shpërthimet në kishat në Bagdat shkaktuan 4 të vrarë dhe 18 të plagosur.

Forcat e sigurimit vendosën sot ndalim-qarkullimin në Tilkaif dhe Hamdaniya, qytete kryesisht të krishtera, afër Mosulit. Autoritetet shtuan gjithashtu masat e sigurimit përreth kishave në Bagdat.

Shpërthimet ndodhën jashtë disa kishave dje në kryeqytet, duke shkaktuar 4 të vrarë afër një kishe në pjesën lindore të Bagdatit.

Militantët islamikë kanë kryer vitet e fundit sulme sporadike kundër pakicës së vogël të krishterë të Irakut. Mijëra irakianë të krishterë u larguan nga shtëpitë e tyre në Mosul vitin e kaluar pas një sërë sulmesh.

Në lajme të tjera, shefi i shtatmadhërisë amerikane, admirali i marinës Michael Mullen mbërriti sot në qytetin verior të Kirkukut për një vizitë të pa lajmëruar më parë.

Admirali Mullen, do të takohet me zyrtarë irakianë në këtë qytet të pasur me naftë, ku tensionet etnike dhe sektare janë të larta.

XS
SM
MD
LG