Lidhje

Ankara: Nënshkruhet marrëveshja për gazsjellësin Nabuko


Turqia dhe 4 vende evropiane nënshkruan një marrëveshje historike, e cila synon pakësimin e varësisë së Evropës tek gazi natyror rus.

Kryeministrat e Turqisë, Bullgarisë, Austrisë, Rumanisë dhe Hungarisë u takuan sot në Ankara për miratimin e marrëveshjes, që parashikon shtrirjen e një tubacioni gazi nga deti Kaspik deri në Evropën Perëndimore.

Agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti tha se Kryeministri turk Rexhep Taip Erdohan e ftoi Rusinë dhe Iranin t’i bashkohen këtij projekti.

Tubacioni Nabuko i mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja do të kalojë përmes Azerbajxhanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë, duke e shmangur Rusinë dhe Ukrainën.

Azerbajxhani shihet si furnizuesi kryesor i gazit që do të kalojë nga ky tubacion. Turkmenistani, Iraku dhe Egjipti po ashtu mendohet të jenë furnizues në afat të gjatë.

Tubacioni prej 3 mijë e 300 kilometrash shihet si konkurrent me tubacionin jugor të mbështetur nga Moska, i cili mendohet të kalojë nëpër Azinë Qendrore përmes Rusisë, Ukrainës dhe disa vendeve të Ballkanit për në Itali. //ii

XS
SM
MD
LG