Lidhje

Prishtina: Të mos respektohen fletë-arrestet serbe


Udhëheqësit në Prishtinë u bënë thirrje të gjitha shteteve që të ndërpresin arrestimet e qytetarëve të Kosovës mbi bazat e fletë-arresteve të Serbisë.

Komentet pasojnë vendimin e prokurorisë serbe për krime lufte për të shpërndarë 160 fletë-arrestime për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si të dyshuar për krime ndaj popullsisë serbe.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje dy organizatave ndërkombëtare të policisë, Interpolit dhe Eurpolit që të mos respektojnë kërkesat e Serbisë për arrestimin e qytetarëve të Kosovës...

“Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme do të kenë komunikimet më të mira me vendet veç e veç dhe natyrisht është edhe borxh i Interpol-it dhe Europol-it që të heqin nga sirtarët e tyre kërkesat çmendurake të Serbisë për ndjekje të qytetarëve të Kosovës”.

Presidenti i Kosovës tha se institucionet e vendit do t’u bëjnë kërkesë edhe shteteve veç e veç që të shpërfillin kërkesat e Serbisë për ndjekjen e qytetarëve të Kosovës.

Edhe analisti Ramush Tahiri thotë se institucionet duhet t’i njoftojnë të gjitha vendet se Kosova ka për obligim që t’i gjykojë vetë qytetarët e saj përgjegjës për krime të luftës.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i njoftojë të gjitha qeveritë e shteteve të tjera se me aktin e shpalljes së pavarësisë kanë pushuar të gjitha funksionet e mëhershme dhe përgjegjësitë e Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë. Kosova ende nuk është anëtare e Interpolit, mirëpo duhet ta njoftojë këtë organizatë se në momentin e shpalljes së pavarësisë Kosova ka obligim ndaj qytetarëve të saj dhe këtë obligim nuk mund ta marrë asnjë shtet tjetër dhe në kuadër të asaj që thuhet neutralitet ndaj statusit të Kosovës asnjë institucion apo shtet ndërkombëtar nuk duhet t’i përfillë kërkesat e Serbisë”.

Muajin e kaluar, policia bullgare arrestoi ish kryeministrin Agim Çeku, në bazë të një fletë-arresti lëshuar nga Beogradi për "krime lufte" kundër serbëve në fund të viteve 1990, kur zoti Ceku ishte drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një incident të ngjashëm me atë të ish kryeministri Çeku pati edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili qe ndaluar për disa orë në Hungari ndërkohë që ishte kryetar i opozitës.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shumë shtete anëtare të Interpolit e vështirëson bashkëpunimin e Kosovës me këtë organizatë. Megjithatë, autoritetet në Kosovë i kanë bërë thirrje kësaj organizate që të mos respektojë kërkesat e Serbisë për arrestimin e qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG