Lidhje

Solana viziton Prishtinën dhe Shkupin, diskuton për vizat


Përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, tha në Prishtinë se qëndrueshmëria e vendeve të Ballkanit perëndimor e sjell këtë pjesë më afër Bashkimit Evropian.

Zoti Solana, i cili po qëndron sot në Kosovë në kuadër të vizitave që po u bënë vendeve të Ballkanit, tha se procesi i liberalizimit të vizave është tërësisht teknik dhe jo politik, jashtë së cilit, siç tha ai, nuk do të mbetet asnjë vend i Ballkanit. Marrëveshja për lehtësimin e regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor e lë Kosovën jashtë këtij procesi. Por zoti Solana tha se Kosova nuk do të mbetet prapa procesit të liberalizimit të vizave përderisa vendi do t’i plotësojë kushtet e vëna nga Brukseli....

Procesi i liberalizimit të vizave filloi shumë kohë më parë dhe në atë kohë Kosova nuk ishte kandidate. Vetëm tri vende të Ballkanit duhet ta marrin konfirmimin në ditët e ardhshme. Ky është një proces që do të vazhdojë në shtetet tjera në rajon”, tha zoti Solana.

Mësohet ndërkaq se procesi për lehtësimin e vizave për qytetarët e Kosovës do të sqarohet në raportin e progresit të Komisionit Evropian i cili pritet të bëhet publik në vjeshtë të këtij viti. Pas takimit që zhvilli me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, zoti Solana, tha se fakti që Kosova ka një masë të madhe kontrolli institucional nga Brukseli përmes EULEX-it, nuk e bën situatën më të favorshme për shtetin e ri. Ai tërhoqi vërejtjen se të gjitha kriteret që kërkohen në procesin e liberalizimit të vizave janë detyrë e institucioneve vendase dhe jo e misioneve ndërkombëtare. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, shprehen të sigurt se Kosova ka të ardhme evropiane.

E informuam për sfidat që kemi para vetes dhe për vizionin që kemi që Kosova të lëvizë sa më shpejt në integrim në BE dhe NATO dhe në këtë kuadër që do të jetë me ketë qëndrueshmëri të saj dhe stabilitet, me këtë qasje që ka për relacionet e kontributit të saj për paqe dhe stabilitet”, tha presidenti Fatmir Sejdiu. Kryeministri Hashim Thaçi, tha ndërkaq se e ardhmja e Kosovës është e sigurt në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Të arriturat e Kosovës në periudhën njëvjeçare të pavarësisë janë spektakulare, në kuadër të ndërtimit të institucioneve demokratike, të sundimit të ligjit, të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar… me perspektivë të sigurt në të ardhmen shumë të afërt edhe për liberalizimin e vizave”.

Shefi i diplomacisë evropiane Havier Solana ka nisur dje vizitën e tij në Ballkan duke u ndalur fillimisht në Beograd, e më edhe në Shkup. Pas Prishtinës, zoti Solana do të vazhdojë vizitën e tij edhe Podgoricë. Vizita e tij në Ballkan thuhet se do të shërbejë si një mundësi për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të rajonit, si dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Kjo vizitë ndërkaq shënon përfundimin e mandatit të zoti Solana si përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.


SOLANA I SJELL LAJM TË MIRË MAQEDONISË

Para Prishtinës, zoti Solana ishte për vizitë lamtumire në Shkup duke sjellë dhe lajmin e mirë për lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, duke folur për procesin e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, ai tha se nuk sillte me vete një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim por se sillte një frymë të bashkëpunimit konstruktiv dhe të mirë për mënyrën se si ky vend po shkon përpara.

Zyrtari i lartë evropian shprehu kënaqësi për atë se si Maqedonia po e përballon krizën financiare, ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e procesit të reformave.

Zoti Solana e konsideron Maqedoninë si një vend stabil në rajon dhe shpreson se procesi i shënimit të vijës kufitare me Kosovën do të përfundojë së shpejti.

Në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, ai vlerësoi se ka përparim por se mbeten disa çështje të cilat duhet të përfundojnë dhe të zbatohen, siç është përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në administratë.

Në kuadër të vizitës së tij në Shkup, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Havier Solana u takua edhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe me udhëheqësin e opozitës, Branko Cërvenkovskit të Lidhjes Social Demokratike.

XS
SM
MD
LG