Lidhje

Qeveria e Kosovës vendos fillimin e ndërtimit të termocentralit të ri


Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim për fillimin e ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re. Gjatë prezantimit të një strategjie për reformimin e sektorit energjetik në Kosovë, Kryeministri Thaçi tha se fillimi i ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së krizës energjetike në vend.


“Termocentrali Kosova e Re dhe hapja e mihjes në Sibovc do të shkojnë përpara me ndihmën e vazhdueshme të Bankës Botërore. Ky termocentral do të sigurojë energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për konsumin vendor dhe për eksportin ndërkombëtar”, tha kryeministri Thaçi në konferencën për gazetarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovësdhe partnerët tonë, parashohin një partneritet publik-privat për Kosovën B, që do të tërheq kapitalin e nevojshëm privat për rehabilitimin dhe privatizimin e saj”.

“Me përkrahjen e Komisionit Evropian, Qeveria e Kosovës përkushtohet për mbylljen e Kosovës A, sa më shpejtë që kjo të jetë e mundur, në mënyrë që të adresojë brengat serioze për ambientin dhe shëndetin të lidhura me këtë termocentral”.

Kosova aktualisht ka dy termocentrale të vjetruara të cilat së bashku mund të prodhojnë rreth 750 megavat orë energji elektrike. Ndërtimi i Termocentralit të Ri, sipas kryeministrit Thaçi, do t’i sigurojë Kosovës rreth 2000 megavat orë energji elektrike. Sipas vlerësimeve, projekti për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re do të kushtojë rreth 3.5 miliardë euro, ndërkaq janë tri konsorciume të mëdha botërore që janë përzgjedhur për të hyrë në garën për ndërtimin e këtij projekti.

Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është pjesë e strategjisë së qeverisë për reformimin e sektorit energjetik në Kosovë, e cila sipas kryeministrit Thaçi ka për qëllim furnizimin e qëndrueshëm dhe kualitativ me energji për qytetarët e Kosovës. E tërë kjo strategji, tha ai, do të zbatohet në partneritet të plotë me Komisionin Evropian, Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bankës Botërore.

“Të gjithë e dimë se zhvillimi i sektorit të energjisë është qenësor për rritjen ekonomike të Kosovës dhe do të sjellë përfitime të rëndësishme për gjithë popullatën. Ne e mirëpresim strategjinë gjithëpërfshirëse që kryeministri e paraqiti sot”, tha përfaqësuesja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Xhejn Armitixh.

Zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Tomas Jazdgerdi, u zotua se SHBA –të do të mbështesin fuqishëm projektin e Termocentralit Kosova e Re.

“Kam qenë këtu për gati tri vite dhe e di sa i komplikuar dhe i vështirë është sektori i energjisë në Kosovë, por derisa po përgatitem të largohem nga këtu brenda një të ardhme të afërt, jam i lumtur të shoh se tani kemi një rrugë përpara”.

Vitet '90 llogariten si periudhë e dëmtimit të rëndë të sistemit energjetik në Kosovë. Vendi është përballur me vështirësi të mëdha në furnizimin me energji elektrike që nga përfundimi i luftës. Autoritetet në Kosovë besojnë se ndërtimi i termocentralit Kosova e Re si dhe reformimi i tërësishëm i sektorit të energjisë, përveç se do të ndikojë në rimëkëmbjen energjetike të vendit do të ndikojë edhe në rimëkëmbjen ekonomike. //ad//

XS
SM
MD
LG