Lidhje

Pasojat e mospërfshirjes së Kosovës në procesin e regjimit të vizave

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Mos njohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, po ndikon që vendi të mbetet i izoluar edhe në proceset para-anëtarësimit në BE. Komisioni Evropian propozoi dje heqjen e regjimit të vizave për tri vende të Ballkanit, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja pritet të përfshihen në këtë proces nga mesi i vitit 2010. Marrëveshja për lehtësimin e regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor e lë Kosovën jashtë këtij procesi.

Në një debat që u mbajt sot në Prishtinë nga Forumi 2015 me temën “Të jetosh në Geto! “, u tha se fakti që Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin i mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave, rrezikon që qytetarët e Kosovës të mbesin ndër më të izoluarit në botë.

“Klasa jonë politike si dhe të gjithë ne në këtë sallë, nuk e ndjejmë peshën e problemit që e trajtojmë me përmasat dhe tiparet që ka ai për qytetarët e zakonshëm, ndërmarrësit dhe eksportuesit kosovarë. Ne të gjithë që jemi këtu nuk refuzohemi aq shpesh dhe nuk presim aq gjatë për viza dhe malli eksportues nuk na prishet në depo”, thotë Muhamet Mustafa, ekspert nga instituti Riinvest.

Ai shton se në një rast të tillë institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile nuk janë në gjendje të përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe të mbrojnë dinjitetin e tyre.

“Nëse nuk jemi në gjendje që të mbrojmë interesin e bizneseve tona, duhet të mendohemi thellë për ta kuptuar më mirë sesa po marrim me seriozitet procesin e shtet-ndërtimit, sa po i marrim me seriozitet obligimet dhe funksionet që ky shtet duhet t’i përmbush karshi qytetarëve të vet”.

Forumi 2015 prezantoi një studim i cili vë në pah se qytetarët e Kosovës rrezikojnë të mbeten ndër popujt më të rrezikuar në botë për faktin se ata mund të udhëtojnë pa viza vetëm në katër shtete të botës, ndërsa sipas studimit, nivel i refuzimit të aplikimeve të qytetarëve Kosovës, për viza Schengen, është më i larti në rajon.

“Një nga rekomandimet tona është që gjatë presidencës suedeze duhet të diskutohet brenda Komisionit të BE-së rasti i Kosovës. Një formë do të jetë mundësia e nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale të ri-pranimit me të gjitha vendet anëtare, ofrimi i një marrëveshjeje të lehtësimit të vizave dhe pastaj t’i hapet rruga Komisionit Evropian që të ofrojë një udhërrëfyes edhe për Kosovën”, thotë Fatmir Curri, hulumtues i këtij studimi.

Edona Cana, nga Agjencia integrim evropian në qeverinë e Kosovës, thotë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë më i qartë në vitin 2010.

“Kosova nuk mund të jetë vend i izoluar në Ballkan përderisa është shprehur qartë nga ana e zyrtarëve të Komisionit Evropian se Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Pra, nuk mund të kemi izolim nëse ekziston mbështetja politike në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Në anën tjetër, ne mendojmë se me studimin e fizibilitetit dhe raportin e progresit në fund të vitit, do të kemi një marrëveshje kontrakrtuale. Pra ne duhet të kemi një marrëveshje kontraktuale që të kemi liberalizim të vizave”.

Megjithëse marrëveshja për lehtësimin e regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor e lë Kosovën jashtë këtij procesi, zyrtarë të Lartë të Bashkimit Evropian kanë deklaruar se Kosova nuk do të mbetet jashtë procesit, por ata u kanë bërë thirrje udhëheqësve në Prishtinë që të përmbushin të gjitha kushtet e vëna nga Brukseli përballë këtij procesi. (ze)

XS
SM
MD
LG