Lidhje

Romani "Fundi i Qiellit", fantazi e frymëzuar nga jeta e autorit


Libri i romancierit të ri, Uilliam Pek, me titull “Fundi i Qiellit”, i çon lexuesit nga shteti rural i Montanës deri në qendrën financiare Uoll Strit dhe qendrën e teknologjisë së lartë Silikon Valli. Romani ndjek udhëtimet e ndryshme të një vëllai e një motre. Autori Uillian Pek thotë se libri është fantazi, e frymëzuar nga jeta e tij.

“Natyrisht që përvojat janë autobiografi. Protagonistët kryesorë kanë lindur e janë rritur në shtetin rural të Montanës. Pra pikërisht aty fillon edhe jeta ime”.

Montana, shtet në pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara, njihet si shteti i qiellit të hapur për arsye të relievit malor dhe hapësirave të mëdha, por në qytetin minator Raundap, ekonomia ishte e rënduar dhe fillimi i protagonistëve ishte i vështirë. Vëllai largohet nga qyteti, ndërsa motra e tij qëndron aty. Secili do të përballet me sfida të ndryshme gjatë një periudhe 30 vjeçare e përfshirë në roman.

Autori thotë se shtëpia e tij në vitet e fëmijërisë ishte plot abuzime dhe vese të këqija. Për shkak të këtyre problemeve, Uilliam u shpall i pavarur nga gjykata në moshën 15 vjeçare.

“Në moshën 16 vjeçare lashë shkollën e mesme. Punoja gjatë gjithë natës, si dhe mbasditeve e nuk i mbaja dot sytë hapur. U martova kur isha 17 vjeç, u bëra baba një vit më vonë dhe pas edhe një viti u divorcova. Pra fillimi ishte i vështirë”.

Ai bëri punë të ndryshme, punoi si shitës e më pas hyri në një sektor me më shumë potencial: shërbimet financiare. Me ndihmën e një miku, Pek gjeti një punë në firmën financiare, Merrill Linç.

Brënda pak vitesh, ndërsa kjo industri përjetoi suksese dhe ndryshime, Uillian Pek eci përpara, duke u bërë zyrtar i lartë në Uoll Strit dhe më pas në anën tjetër të vendit në Silikon Valli. Ai u bë nën-president dhe drejtor rajonal i firmës Citigroup Smith Barney në Kaliforninë veriore.

Ai thotë se shumica e kolegëve të biznesit ishin të ndershëm dhe punonin mjaft, por kishte edhe nga ata që shkelnin rregullat etike. Libri bën fjalë për incidente që zoti Pek përjetoi dhe në roman ai përballet me intriga dhe dilema morale.

“Gjëja më e rëndësishme për të është të fshijë të kaluarën e tij të neveritshme dhe për këtë ai punon pa pushim. Ai përfundon në një industri të sukseshme, ku paraja nuk ka fund dhe bëhet shumë i suksesshëm. Por fakti është se ne të gjithë bartim me vete të kaluarën tonë, përfshirë edhe aspektet negative, kudo që na çon jeta”.

Protagonisti përballet me realitetin, ashtu siç i ndodhi zotit Pek gjatë jetës së tij. Për shkrimtarin, një sëmundje e rëndë bëri që të ndryshonte drejtim në jetë në moshën 41 vjeçare.

Ai u largua nga firma Merrill Lynch dhe vendosi të bënte diçka që nuk e bëri në rini: një arsim të mirë. Ai i vuri syrin Universitetit Stanford, ndoqi klasa në kolegjin e komunitetit, mori provimin, që marrin gjithë nxënësit para se të shkojnë në universitet dhe këtë e bëri bashkë me të birin.

“Djali im mbeti i zhgënjyer që unë isha bashkë me të. E mora provimin dhe dola shumë mirë, aplikova për të studjuar në Universitetin Stanford dhe më pranuan. Më kujtohet kur mora zarfin e madhë me të gjithë formularët që duhen mbushur. Përjetova të njëjtat ndjenja që ndjen ndoshta një adoleshent kur pranohet në universitet”.

Ai ishte studenti më i moshuar në Universitetin Stanford. Përfundoi studimet 4 vjeçare brënda 3 vjetësh me rezultate shumë të mira dhe më pas punoi si drejtor i një misioni arkeologjik për eksplorimin e kulturave të hershme të amerikanëve të parë të Amerikës.

Por atë e tërhoqi një objektiv. Ai donte të shkruante një libër dhe për këtë kërkoi ndihmë nga profesori i Universitetit Stanford dhe romancieri i talentuar, John Lërë.

Me ndihmën e shkrimtarit, pas shumë përpjekjesh, zoti Pek mësoi të shkruante fantazi.
Ai thotë se përvoja e tij e drejtpërdrejtë rreth abuzimit të pushtetit në Uoll Strit do të jetë bazë e romanit të tij të dytë. Arkeologjia, pasioni i tij i ri nga ditët në Stanford, mund të jetë temë e një romani tjetër. (ze)

XS
SM
MD
LG