Lidhje

SHBA: Sotomajor, përsëri përballë pyetjeve të senatorëve


Sonja Sotomajor, e cila është emëruar në Gjykatën e Lartë amerikane po pyetet sot përsëri nga senatorët në një seancë konfirmimi.

Nëse miratohet, ajo do të bëhej anëtarja e parë hispanike në gjykatën më të lartë të vendit.

Gjatë dy seancave të para dëgjimore përpara Komisionit Juridik të Senatit, zonja Sotomajor arriti t’i shmangej përgjigjeve të hollësishme për çështje të tilla të debatueshme si aborti apo e drejta për të mbajtur armë.

Republikanët e pakicës i bënë asaj pyetje të vështira, për shembull nëse ajo ka preferenca raciale apo të majta.

Zonja Sotomajor tha se komentet e saj të bëra kohë më parë, ku lihej të kuptohej se një grua e zgjuar, me prejardhje latinoamerikane mund të arrijë vendime më të pjekura gjyqësore se sa një mashkull i racës së bardhë, ishin keqkuptuar. Ajo përsëriti disa herë se gjithnjë i ka marrë vendimet gjyqësore në përputhje me ligjin.

Senati, i cili kontrollohet nga demokratët, pritet të votojë për zonjën Sotomajor në muajin gusht, ndërsa sesioni i ardhshëm i Gjykatës së Lartë fillon në tetor.

PYETJE TË VËSHTIRA

Anëtarët e komisionit e pyetën Sotomajor në lidhje me vendimet të shkuara të marra si gjykatëse federale, për çështje të rëndësishme ligjore dhe kushtetuese, pasi ata po konsiderojnë emërimin e saj si anëtare e gjykatës së lartë.

Sotomajor u përball me pyetje të vështira nga anëtarët e komisionit në lidhje me vendimet e marra gjatë 17 vjetëve të karrierës së saj si anëtare e gjykatave të ndryshme federale, si dhe rreth filozofisë së saj juridike.

Republikanët janë përpjekur ta përshkruajnë atë si një aktiviste juridike, një term të cilin ata e përdorin për të përshkruar gjykatës të cilët imponojnë prirjet personale gjatë marrjes së vendimeve. Shumë demokratë akuzojnë gjykatësit republikanë, duke përfshirë edhe ata të gjykatës së lartë për të njejtën gjë.

Republikani John Kornin e pyeti zonjën Sotomajor , lidhur me një deklaratë të saj sipas së cilës një hispanike e mençur me një përvojë të pasur personale, do të arrinte të merrte vendime më të sakta, në shumicën e rasteve kur gjykon një çështje.

"Unë u qëndroj fjalëve që kjo shprehje nuk pati efektin e duhur. E kuptoj se disa njerëz nuk i kuptuan fjalët e mia ashtu siç kisha shpresuar unë. Dhe shpresoj që ato fjalë të interpretohen në të gjithë kontekstin e fjalimit që bëra."

Kishte gjithashtu pyetje të tjera në lidhje me të drejtën e abortit që u vendos në vitin 1973, dhe u rikonfirmua në shumë raste te tjera më pas, duke konsideruar eksistencën e një preçedentit ligjor.

Senatori demokrat Arlen Spekter, u përpoq të kuptonte pikpamjen e zonjës Sotomajor në lidhje me vendimin e gjykatës se lartë në 2008, për të mos shqyrtuar një ankim të bërë në lidhje me programin e përgjimit elektronik të administratës Bush, pa përdorur leje nga gjykata. Ja si u përgjigj gjykatësja Sotomajor:

"Unë e kuptoj shqetësimin jo vetëm të kongresit por edhe atë personal, e nganjëherë edhe atë të qytetarëve, kur ka çështje të rëndësishme që ata do të donin që të shqyrtoheshin nga gjykata e lartë. Pyetja shtrohet se çfarë do të bëja unë nëse ju do më nderonit duke më lejuar të shërbeja në gjykatën e lartë, nëse unë do të thoja diçka sot, a do të jetë kjo një tregues se unë do të paragjykoja qëndrimin e dikujt tjetër?"


Senatori Spektër tha se do të donte vetëm të dinte se çfarë standartesh do të përdorte gjkykatësja për të vendosur në një rast të tillë dhe sesi mund të justikohej vendimi për të mos marrë në shqyrtim një çështje të tillë, kur roli i gjykatës është që të interpretojë në rast konfliktesh të tilla madhore mes legjislativit dhe ekzekutivit.

Demokratët dhe Republikanët kanë opinione të ndryshme në lidhje me suksesin e dëshmisë së gjykatëses Sotomajor. Senatori republikan Xhef Seshëns tha se përgjigjeve të saj i mungonte qartësia:

"Sinqerisht, nuk mendoj se përgjigjet e kandidates janë më të qarta tani në krahasim me ç'kanë qënë më përpara. I turbullt, është fjala që më vjen ndër mend të përdor për pozicionin e saj në lidhje me shumë çështje të rëndësishme për popullin amerikan."


Senatori demokrat i Mariland-it Ben Kardin tha se zonja Sotomajor ishte shprehur qartë dhe direkt.

" Është interestant fakti që disa nga kolegët e mi Republikanë po mbajnë një qëndrim kritik ndaj deklaratave të gjykatëses Sotomajor. Por nëse analizon të dhënat e saj, dhe atyre që ajo ka bërë si gjykatëse, sheh se ajo ka thënë në mënyrë të vazhdueshme se do të marrë vendime të bazuara në fakte , dhe do të ndjekë preçedentë ligjorë, dhe kjo është ajo që ne duam të dëgjojmë nga një gjykatës."


Nëse konfirmohet nga komisioni i senatit dhe më pas nga i gjithë Senati, Sotomajor do të jetë e para hispanike dhe gruaja e tretë që fiton emërimin e përjetshëm në Gjykatën e Lartë. //kk

XS
SM
MD
LG