Lidhje

Të paktën 8 të vdekur nga dy shpërthime në Indonezi


Të paktën 8 veta humbën jetën dhe 50 të tjerë u plagosën nga shpërthimet thuajse të njëkohshme në dy hotele luksoze të Xhakartës.

Ministri indonezian i sigurisë tha se shpërthimet e së premtes që ndodhën brënda pak minutash nga njëri tjetri, dëmtuan rëndë dy hotelet, Ritz-Carlton dhe Marriott.

Mes viktimave kishte amerikanë, australianë, kanadezë dhe një shtetas zelandez.

Autoritetet thanë se bombat ishin vendosur afër restorantit të hotelit Ritz-Carlton dhe në katin e poshtëm të hotelit Marriott. Xhamat e thyer të dritareve në restorantin e hotelit Ritz-Carlton mbushën rrugët përreth.

Një bombë e pashpërthyer u gjet më vonë në hotelin Marriott. Shefi i policisë së Xhakartës tha se autorët e sulmeve kishin qëndruar në këto dy hotele.

Asnjeri nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por për incidente të ngjashme në të kaluarën janë fajësuar rrjeti terrorist Xhemaja Islamija, që vepron në Azinë juglindore. Madje autoritetet thanë se sulmet e reja mund të jenë kryer nga prodhuesi i dyshuar i bombave të këtij grupi, Noordin Mohammed Top.

Presidenti Susilo Bambang Yudhoyono i cilësoi shpërthimet si akte terroriste dhe u zotua të arrestojë personat përgjegjës.

Në Uashington, Presidenti Barak Obama i dënoi sulmet dhe u shprehu ngushëllime viktimave dhe familjeve të tyre. //ii

XS
SM
MD
LG