Lidhje

Senatorët amerikanë diskutojnë për gazjellësin Nabuko


Anëtarët e Kongresit po i kushtojnë një vëmendje të madhe ndikimit që ka kontrolli i rezervave të energjisëtek çështjet globale.

Në një seancë në Uashington, senatorët ishin veçanërisht të interesuar për gazjellësin Nabuko që kalon nga Turqia në Evropë.

Kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, demokrati Xhon Kerri thotë se i duhet kushtuar më shumë vëmendje vendeve që prodhojnë naftë kur diskutohet politika e jashtme amerikane.

“Bie në sy që shumë nga burimet e energjisë së botës janë edhe burime paqendrueshmërie dhe duhet ta shqyrtojmë me kujdes këtë ndërthurje. Irani, Iraku, Sudani, Rusia, Kaukazet, Nigeria, Venezuela janë të gjitha në krye të sfidave tona të energjisë, por edhe janë edhe vendet me të cilat kemi më shumë probleme nga ana gjeopolitike”.

Zoti Kerri tha se mundësia që çmimet e naftës dhe gazit natyror të rriten në vitet e ardhshme e keqësojnë situatën. Zgjidhja tha ai është gjetja e burimeve të reja të energjisë dhe shfrytëzimi i rrugëve të reja të transportit për të kufizuar mbizotërimin në treg nga një vend i vetëm.

Republikani Riçard Lugar ka ndërmarrë një rol drejtues lidhur me këtë çështje. Ai ishte në Turqi këtë javë për nënshkrimin e marrëveshjes për gazsjellësin Nabuko, i cili parashikon hapjen e një rruge për gazin natyror nga Turqia në Evropë që mund të pakësojë varësinë e Evropës tek gazi rus.

Ai tha se një nga vendet që do të përfitojë do të jetë Iraku, që mund të sigurojë deri në gjysmën e sasisë së gazit për projektin Nabuko. Ai tha se vendi mund t’i përdorë fitimet për rindërtimin nga lufta.

"Gazi natyror dhe ndoshta me kalimin e kohës edhe furnizimet me naftë nga Iraku mund të sigurojnë këtë lloj kapitali, gjë që do të ishte e mrekullueshme dhe një mbyllje shumë pozitive për këtë periudhë shumë tragjike të historisë”.

Ndërkohë që shanset për Irakun shihen pozitivisht nga ligjvënësit amerikanë, mundësia që Irani mund të përfitojë nga gazsjellësi, si furnizues i mundshëm nafte, shkaktoi shqetësimin e tyre.

Riçard Morningstar, i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Energjinë në Eurazi tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se Irani nuk duhet të përfitojë nga Nabuko derisa Teherani të bjerë dakord të bashkëpunojë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes lidhur me programin e tij bërthamor.

“Ky do të ishte momenti më i papërshtatshëm për të inkurajuar Iranin të marrë pjesë me ndonjë projekt në Nabuko, kur ne nuk po marrim asgjë si këmbim”.

Zoti Morningstar tha se Nabuko mund të përdoret si kusht për ta bërë Iranin që të bashkëpunojë më shumë dhe të angazhohet me komunitetin ndërkombëtar. //kk//

XS
SM
MD
LG