Lidhje

Samers: Ekonomia amerikane nuk është më në rënie të lirë


Këshilltari i lartë i presidentit Barak Obama për ekonominë, Lawrence Summers, tha se ekonomia amerikane është tërhequr nga "pragu i katastrofës".

Zoti Summers tha sot se në fillim të vitit ekonomia amerikane ishte në "rënie të lirë" por që prej atëhere është bërë përparim i ndjeshëm.

Megjithatë ai paralajmëroi se reformat në sistemin financiar e atë të kujdesit shëndetsor janë shumë të rëndësishme për vazhdimin e ripërtëritjes ekonomike.

Ndërkohë po sot, një raport i departamentit të tregëtisë tregon se ndërtimi i shtëpive të reja u rrit 3 presje 6 përqind në qershor, shifra më e lartë në shtatë muaj. Raporti thotë gjithashtu se po në qershor kërkesat për ndërtime të reja u rritën me 8 presje 7 përqind.

Shifrat e fundit në tregun e shtëpive pasojnë një raport negativ dje që paralajmëron se rreth 1,5 milionë amerikanë janë në rrezik të humbasin shtëpitë e tyre.

Sinjale të ndryshme rreth ekonomisë amerikane në vështirësi po reflektohen edhe në kompanitë më të mëdha të botës. Konglomerati amerikan General Electric tha sot se pati të ardhura në tremujorin e dytë, por fitimet pothuajse iu përgjysmuan.

XS
SM
MD
LG