Lidhje

SHBA: Projektligje në Kongres për kujdesin shëndetësor

  • Elizabeth Lee

Komisioni i Senatit amerikan për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet miratoi të mërkurën versionin e tij të projekt-ligjit për reformën shëndetësore, që parashikon zgjerimin e sigurimeve shëndetësore për amerikanët. Votimi në Senat u bë një ditë pasi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve paraqitën verisonin e tyre të ligjit. Të dy versionet parashikojnë që të gjithë amerikanët të kenë sigurime shëndetësore.

Kongresi është një hap më pranë reformimit të sistemit shëndetësor amerikan. Komisioni i Senatit për Shëndetësinë është i pari në Kongres që miraton një ligj për reformën, që ishte një fitore për senatorin demokrat nga Kënektikati, Kristofor Dad.

"Ky ligj, si rezultat i atyre që kemi bërë, mendoj se do të shtojë mundësitë për kujdes shëndetësor. Do të pakësojë koston për individët dhe do të përmirësojë cilësinë e shërbimin shëndetësor në vendin tonë".


Me një kosto prej 600 miliardë dollarësh, Akti për Zgjedhjet e Përballueshme Shëndetësore kërkon nga shumica e bizneseve të garantojnë sigurime për punonjësit e tyre. Senatori republikan nga Uajoming, Majkël Enci paralajmëron se ky është një ligj politik që do të sillte më shumë dëme se sa përfitime.

"Është ligji më liberal që ky vend ka parë ndonjëherë dhe mund të sjellë ndryshime që nuk do të jemi në gjendje t'i ndreqim kurrë".

Projektligji në Senat u paraqit një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve paraqiti një plan të vetin për reformimin e sistemit shëndetësore të vendit. Të dy planet parashikojnë që të gjithë amerikanët të kenë sigurime shëndetësore dhe kostoja për ata që nuk mund ta përballojnë të plotë do të ofrohet e reduktuar ose do të subvencionohet. Gjithashtu parashikohet krijimi i një programi qeveritar sigurimesh që do të konkuronte me atë të firmave private.

Kompanitë e sigurimeve nuk do të kenë mundësi t'u mohojnë mbulim njerëzve me probleme ekzistuese shëndetësore, si Xhorxhiana Ekman, e cila vuan nga diabeti dhe me vështirësi mbulon koston e kurimit të saj.

"Më duhet të pranoj se jo vetëm që nuk mund të përballoj shpenzimet për vete, por nuk jam e sigurt nëse do të jem në gjendje të blej medikamentet për nesër".

Kritikët e projekt-ligjit të reformës janë të shqetësuar se si do të paguajë qeveria për sistemin e ri. Versioni i Dhomës së Përfaqësuesve vjen me një kosto prej një trilion dollarësh. Për të mbuluar këtë kosto, ajo propozon një taksë prej 5.4 përqind për të ardhurat vjetore mbi 350 mijë dollarë. Shumë republikanë, përfshirë përfaqësuesin nga Mizuri, Roi Blant, janë kategorikisht kundër këtij projekt-ligji.

"Ky është një projekt-ligj që pa asnjë dyshim, do të sjellë suprimimin e vendeve të punës, do të kufizojë mundësinë për kujder shëndetësore, do të shkaktojë ngritjen e taksave dhe do të çojë në vënien e sistemit shëndetësor nën kontrollin e qeverisë".

Ndërkaq, Presidenti Barak Obama i ka bërë presion Kongresit të miratojë ligjin për reformën në shëndetësi.

"Ky përparim duhet të na ngjallë shpresa dhe jo të na trembë. Ai duhet të shihet si një masë urgjente që duhet marrë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati për t'i dhënë fund punës për reformën në shëndetësi para pushimeve të gushtit".

Republikanët po kritikojnë demokratët për paraqitjen shumë shpejt të ligjit për votim në Kongres. Ja si u shpreh senatori Miç Mekonëll nga Këntaki.

"Dhe tani ata janë tepër të etshëm për të nxituar dhe shpenzuar për kujdesin shëndetësor, kur askush nuk ka patur kohën e duhur për të lexuar hollësitë".

Por anëtarët demokratë të Kongresit synojnë të miratojnë ligjin për reformën e kujdesit shëndetësor dhe t'ia paraqesin atë për firmë Presidentit Obama deri në tetor. //iç//

XS
SM
MD
LG