Lidhje

Kosova, deklaratë e re për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë


Prishtina ka dorëzuar sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë deklaratën e dytë me shkrim në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi në tetor të vitit të kaluar kërkesën e Serbisë që Gjykata të japë një opinion mbi pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa 17 korriku është caktuar si data e fundit që Kosova dhe Serbia të dorëzojë të gjitha argumentet dhe pikëpamjet shtesë lidhur me pavarësisë e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Autoritetet në Kosovë thonë se kanë argumente të fuqishme për të mbrojtur pavarësinë. Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, thotë se argumentet e Prishtinës mbështeten në fuqinë e ligjshmërinë së pavarësisë së Kosovës, dhe në të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

“Republika e Kosovës në mënyrë shumë të kujdesshme i ka trajtuar të gjitha deklaratat me shkrim që janë dorëzuar me 17 prill, në mënyrë shumë të kujdesshme, ka punuar në komentet që janë bërë rreth këtyre deklaratave, dhe dokumenti që do të dorëzohet sot në besojmë se është një dokument përmbajtësor është një dokument plotë argumente bindëse në të gjitha pandehmat që përmbajnë deklaratat tjera të dorëzuara më 17 prill”.

Në prill të këtij viti, Kosova dhe Serbia dorëzuan deklaratat e para në Gjykatën Ndërkombëtare në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë. Përveç Kosovës dhe Serbisë, edhe shtetet të tjera kanë pasur të drejtë që të dorëzojnë argumentet e tyre në këtë gjykatë në mbrojtje ose kundër pavarësisë së Kosovës.

Që nga muaji prill, palët kanë pasur të drejtë të plotësojnë deklaratat e tyre me argumente shtesë. Pak ore para se Prishtina të dorëzojë argumentet shtesë në mbrojtje të pavarësisë, ministri i jashtëm shprehet optimist se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare te Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë se Kosovës do te jete pozitiv.

“Presim që gjykata do të japë një mendim këshillëdhënës krejtësisht të paanshëm, të drejtë dhe këtë besim e mbështesim në besimin që kemi te drejtësia si parim kulmor dhe në besimin që kemi në mënyrë specifike te GJND-ja si institucion i respektueshëm i OKB-së”.

Pas dorëzimit të të gjitha argumenteve shtesë, në dhjetor të këtij viti, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të nis seancat dëgjimore ku përveç Kosovës dhe Serbisë do të mund të marrin pjesë edhe të gjitha shtetet e tjera. Ministri Hyseni njoftoi se Prishtina që sot është e gatshme për të marrë pjesë në këto seanca.

Pavarësia e Kosovës e kundërshtuar ashpër nga Beogradi dhe Rusia është njohur deri tani nga 62 vende të botës. Ndonëse opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është detyrues, sipas autoriteteve, ai mund të ushtrojë ndikim në shtimin e njohjeve për pavarësinë e vendit.

XS
SM
MD
LG