Lidhje

Kongresi do të hetojë shkeljen e mundshme të ligjit nga CIA


Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin thotë se do të hetojë nëse CIA shkeli ligjin duke mos informuar Kongresin për një plan për dislokimin e skuadrave për vrasjen e të dyshuarve si terroristë të al-Kaidës. CIA është e detyruar me ligj që të informojë komisione të ndryshme si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve për të gjitha veprimtaritë e rëndësishme të saj. Kreu i republikanëve në Komisionin e Zbulimit ka akuzuar demokratët se donin ta përdornin hetimin, që ka mundësi të përfshijë një hetim të rolit të ish-nën Presidentit Dik Çeni, për qëllime politike.

Me anë të një deklarate, kreu i komisionit të zbulimit Silvestër Reis, një demokrat nga Teksasi tha se hetimi do të ketë si synim të zbulojë nëse komisionet e zbulimit të Kongresit ishin informuar plotësisht dhe në kohë sipas ligjit në disa raportime të CIA-s në Kongres.

Zoti Reis tha se kjo do të përfshijë një raportim të kreut të CIA-s Leon Paneta para komisionit për zbulimin më 24 qershor, ku ai foli për ekzistencën e një programi që ishte mbajtur sekret, i autorizuar gjatë kohës së administratës së Presidentit Bush, por i anulluar nga zoti Paneta pasi ai kishte mësuar për ekzistencën e tij.

Pas raportimit, demokratët në komision bënë publike një letër që ata i dërguan zotit Paneta duke i kërkuar që të korrigjonte një deklaratë që kishte bërë më parë pas debatit që u hap në maj lidhur me pohimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi se CIA e kishte keqinformuar Kongresin për përdorimin e metodave të ashpra të marrjes në pyetje të të ndaluarve.

Njoftime shtypi që citojnë burime të ndryshme të paidentifikuara zbulimi dhe burime të tjera e kanë përshkruar programin sekret si një përpjekje për të vrarë udhëheqës të lartë të organizatës terroriste al-Kaida.

Zoti Paneta i njoftoi gjithashtu ligjvënësit se ishte informuar se CIA kishte marrë urdhër nga nënpresidenti Dik Çeni që të mos ta nxirrte informacionin për programin sekret.

Kongresmeni Reis tha se vendimi për të ndërmarrë hetimin ishte marrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm dhe në konsultim me kreun e republikanëve në komision Pit Hoekstra.

Por në deklaratën e tij, zoti Hoekstra e akuzoi zotin Reis se ishte tërhequr nga një marrëveshje e arritur në diskutimet për të kryer një analizë dypartiake dhe të balancuar të informimeve të Kongresit.

Zoti Hoekstra tha se spekullimi për veprime të mundshme penale pa pasur fakte të pamohueshme, tregonte se demokratët donin të politizonin çështje të rëndësishme të zbulimit.

Zoti Reis u zotua se hetimi do të ishte i drejtë dhe i hollësishëm, në mënyrë që të mos pengonte punën e atyre që shërbejnë në CIA.

Një zëdhënës i CIA-s, Pol Xhimiliano u citua në njoftime shtypi dje të thoshte se agjencia ka të njëjtin objektiv dhe do të bashkëpunojë ngushtë me komisionin e zbulimit.

Dje në mbrëmje, anëtarja demokrate e Kongresit Xhen Shakovski, që drejton nënkomisionin e mbikqyrjes dhe hetimeve, nën komisionin e zbulimit tha se paneli i saj do të marrë në dorë pjesë të konsiderueshme të hetimit.

Duke u angazhuar se do të shqyrtonte me kujdes çdo aspekt të procesit të informimit të kongresit, zonja Shakovski shtoi se nëse arrihet në përfundimin se nënpresidenti Çeni kishte urdhëruar që Kongresi të mos informohej për disa programe, ka arsye për të besuar se kjo përben një shkelje të rëndë të Aktit për Sigurinë Kombëtare të vitit 1947.

Ligji, sipas së cilit u riorganizuan forcat e armatosura amerikane dhe komuniteti i zbulimit pas Luftës së Dytë Botërorem, si edhe u krijua CIA, parashikon që komisionet e zbulimit të Kongresit të informohen plotësisht dhe në kohën e duhur për veprimtaritë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara.//kk//

XS
SM
MD
LG