Lidhje

Klinton në Indi thekson mbështetjen në luftën globale kundër terrorizmit


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në luftën globale kundër terrorizmit, gjatë takimit me viktimat e sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Bombei të Indisë.

Zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara nuk po i bëjnë presion Indisë të përmirësojë marrëdhëniet me Pakistanin. Ajo tha se u takon dy palëve të vendosin si t’i zhvillojnë bisedimet e paqes.

Sekretarja amerikane e Shtetit foli me gazetarët në Bombei, ku zyrtarët indianë besojnë se terroristë të lidhur me Pakistanin vranë 166 veta gjatë një sulmi në nëntor të vitit të kaluar.

Sekretarja Klinton tha se Pakistani ka punuar shumë gjatë muajve të fundit për të zgjidhur problemin e terrorizmit në vend, dhe sugjeroi se së shpejti mund të merren masa për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për sulmet e Bombeit.

Zonja Klinton po zhvillon udhëtimin e saj të parë në Indi si Sekretare Shteti, dhe pritet të nxisë marrëdhënie më të ngushta me këtë ekonomi në zhvillim gjatë vizitës së saj tre-ditore. //bsa//

XS
SM
MD
LG