Lidhje

Presidenti Obama, fushatë mbi reformimin e kujdesit shëndetësor


Presidenti amerikan Barak Obama ka disa ditë që po përpiqet të sigurojë mbështetje për propozimin e tij për reformën në sistemin e shëndetësisë, ndërkohë që ligjvënësit dhe publiku po tregojnë mosbesim. Siç njofton korrespondenti Kent Klein nga Uashingtoni, republikanët e opozitës thonë se Presidenti po i ndërmerr hapat me shumë shpejtësi.

Në fjalimin e tij të përjavshëm, Presidenti Obama foli për disa episode të cilat siç tha ai pasqyrojnë nevojën për të reformuar mënyrën sesi amerikanët paguajnë për kujdes shëndetësor.

"Kjo duhet bërë për një grua në Kolorado e cila na tha se kur ishte diagnostikuar me kancer në gji, kompania e sigurimeve të cilës i kishte paguar mbi 700 dollarë në muaj, nuk pranoi të paguante për kurimin e saj. Asaj iu desh të shpenzonte paratë e pensionit për të shpëtuar jetën".

Zoti Obama thotë gjithashtu se kujdesi shëndetësor është një çështje që prek stabilitetin e të gjithë ekonomisë amerikane.

Disa demokratë në Kongres i kanë kundërshtuar disa pjesë të nismës së Presidentit. Disa ligjvënës nga të dyja partitë kanë kërkuar më shumë kohë për ta diskutuar.

Senatori Xhon Kil, në mesazhin e përjavshëm të republikanëve tha se zoti Obama po përpiqet ta kalojë me shpejtësi planin në Kongres për të shmangur, kontrollin e hollësishëm të tij.

"Por Presidenti dhe disa demokratë këmbëngulin që ta kalojmë këtë plan me nxitim. Pse? Sepse sa më shumë që amerikanët të dinë për të, më shumë do të jenë kundër. Diçka e kësaj rëndësie duhet bërë siç duhet dhe jo me shpejtësi".

Presidenti do t'i kalojë ditët e ardhshme duke u përpjekur që të bindë Kongresin dhe publikun amerikan për planin e tij. Ai do të mbajë një konferencë për shtyp të mërkurën, në të cilën ai pritet të diskutojë propozimin për reformën shëndetësore. Ndërsa të enjten, ai do ta vazhdojë fushatën para një audience në Klivlend të Ohajos.

Zoti Obama ka mundësi të thotë se kundërshtarët e propozimit të tij për reformë po veprojnë nisur nga interesi për ta mbajtur të pandryshuar sistemin aktual.

"Ne e dimë se të njëjtët persona me interesa të posaçme dhe mbështetësit e tyre në Kongres do të bëjnë të njëjtat argumenta të vjetër dhe do të përdorin të njëjtat taktika frikësuese që kanë frenuar reformën më parë sepse ata përfitojnë nga kjo rritje e pandalshme e kostos së kujdesit shëndetësor".

Senatori Kil thotë se një nga kundërshtimet më të forta të republikanëve ndaj planit është kostoja dhe efektet e saj të mundshme tek defiçiti kombëtar.

"Plani i tyre do të rriste shpenzimet me mbi 2 trilionë dollarë kur të zbatohet plotësisht dhe sipas zyrës jopartiake për Buxhetin e Kongresit do të shtonte edhe më shumë koston e një sistemi që edhe kështu është i papërballueshëm".

Por zoti Obama po i siguron amerikanët se propozimi i tij di të ndihmojë për forcimin e ekonomisë dhe jo për zgjerimin e defiçitit, që vlerësohet të ketë kapur shifrën 1 trilion dollarë.

"Dua ta bëj shumë të qartë: Nuk do të nënshkruaj asnjë plan shëndetësor që e rëndon defiçitin tonë gjatë dekadës së ardhshme. Duke ndihmuar për rritjen e cilësisë dhe efikasitetit, reformat që ndërmarrim në planet afatgjata do ta vënë defiçitin nën kontroll".

Legjislacioni për reformën shëndetësore ka kaluar në dy komisione të Dhomës së Përfaqësuesve që mbizotërohet nga demokratët. Nuk duket të ketë gjasa që e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për propozimin para se të fillojnë pushimet e gushtit, siç kishin shpresuar udhëheqësit demokratë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm i madh i zhvilluar demokratik që nuk ka një program të gjerë qeveritar sigurimesh të kujdesit shëndetësor. //kk//

XS
SM
MD
LG