Lidhje

Iran: Shefi i energjisë bërthamore, sinjale pozitive drejt Perëndimit


Shefi i ri i energjisë bërthamore të Iranit po bën thirrje që t'u jepen fund armiqësive mes vendit të tij dhe perëndimit dhe për ripërtëritjen e përpjekjeve për të ndërtuar besimin mes tyre.

Televizioni shtetëror iranian thotë se shefi i ri i energjisë bërthamore, Ali Akbar Salehi po i bën thirrje perëndimit t'i japë fund armiqësive me Teheranin dhe të fillojë të ndërtojë besim.

"Diskutimet ligjore dhe teknike për rastin bërthamor të Iranit janë mbyllur, këmbëngul ai, dhe nuk ka përse kjo çështje të mbetet e hapur".

"Shpresojmë, tha ai që të bëhen më shumë përpjekje nga Perëndimi për të krijuar besim reciprok që do të zëvendësonte gjashtë vitet e fundit të armiqësisë".

Ishin komentet e para për median, që kur zoti Salehi u emërua nga Presidenti Mahmud Ahmadinexhad të premten, pas dorëheqjes së negociatorit veteran të çështjeve bërthamore Golam Reza Agazadeh.

Zoti Salehi i ka kryer studimet në Universitetin Amerikan të Beirutit dhe ka një doktoraturë nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit. Zoti Salehi është ish-i dërguari i Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe nënshkroi një protokoll që lejon më lehtësisht inspektime në objektet bërthamore të Iranit. Emërimi i tij duket si një gjest i vullnetit të mirë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë as Shtetet e Bashkuara, as anëtarët e tjerë të të ashtuquajturit grupi 5+1 që përfshin pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë, nuk duket se janë të prirura të bien dakord me Salehin për mbylljen e dosjes bërthamore të Teheranit.

Presidenti amerikan Barak Obama e paralajmëroi Teheranin gjatë takimit të nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes në Itali se bota po i jep kohë deri në shtator që të respektojë rezolutat e Kombeve të Bashkuara për programin e tij bërthamor.

Irani vazhdimisht ka refuzuar të ndalë pasurimin e uraniumit dhe perëndimi ka frikë se do të përdorë uranium të pasuruar për të ndërtuar armë atomike.

Qeveria iraniane, gjithsesi vazhdon të këmbëngulë se programi i saj bërthamor ka vetëm synime paqësore dhe civile.

Analisti iranian Meir Xhavendafar i qendrës për Analizat Ekonomike dhe Politike të Lindjes së Mesme në Tel Aviv këmbëngul se Teherani po e ashpërson qëndrimin për dosjen e vet bërthamore, në përgjigje të kritikave Perëndimore shtypjes së dhunshme të popullsisë së vet pas zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit.

"Mendoj se Ajatollah Kamenei po përçon mesazhin se sa më shumë të na bëjnë presion në fronte të tjera, aq më shumë do ta rregullojmë balancën në favorin tonë dhe një nga drejtimet është programi bërthamor sepse zoti Kamenei e di se sa i rëndësishëm është programi bërthamor për perëndimin sidomos për Presidentin Obama. Kështuqë unë mendoj se kjo është një lloj kundërpërgjigjeje kundër asaj që Irani e sheh si ndërhyrje të Perëndimit në çështjet e brendshme të tij. Unë gjithashtu mendoj se qeveria iraniane ende e sheh perëndimin të përçarë dhe perëndimi nuk mund të bëjë ndonjë gjë të madhe për të ndalur programin bërthamor të Iranit, kështuqë ata po e ashpërsojnë qëndrimin e tyre dhe duan të shohin se cili do të jetë reagimi, nëse do të marrin një kundërpërgjigje të ashpër apo një ofertë më të mirë".

Gjithsesi, zoti Xhavedanfar beson se ata që po kërkojnë një kompromis me Iranin nuk duhet t'i humbin shpresat, pasi udhëheqësit e Iranit janë pragmatistë dhe në fund të fundit mund të jenë të gatshëm për një marrëveshje.

Ministri i Jashtëm iranian Manuçer Motaki tha para një jave se Teherani po bëhej gati t'i paraqiste Perëndimit një paketë të re propozimesh, në lidhje me siç tha ai çështje ndërkombëtare, të sigurisë dhe politike.

Udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Kamenei e ka paralajmëruar gjithashtu Perëndimin se Teherani do të ketë parasysh kritikat e tij për shtypjen e protestuesve pas zgjedhjeve të 12 qershorit, kur të analizojë të ardhmen e marrëdhënieve me vendet e tyre. //kk//

XS
SM
MD
LG