Lidhje

A lindin të tillë fëmijët e talentuar


13 vjeçari Gaven Largent ka luajtur muzikë për pesë vjet. Ai filloi të merrte mësime kitare në moshën 8 vjeçare por u shkëput, jo nga muzika por nga leksionet për të.

“Nuk po mësoja gjë, vetëm luaja notat që shihja në pentagram, ishte e mërzitshme”.

Mamaja e tij Melisa Largent:

“Iu bë mani të kuptonte tingujt që dëgjonte në një CD apo në radio. E kuptuam në moshën 9 apo 10 vjeçare qe ai do të ishte fokusi i tij”.

Ky përkushtrim është një nga gjurmët e fëmijëve me dhunti thotë Ellen Winner, psikologe në Kolegjin e Bostonit.

“Do të thosha se për këta fëmijë është e vështirë t’i tërheqësh nga ajo fushë në të cilën kanë aftësi të larta."

Julian Lage i cili nxori së fundmi CD-në Sounding Point, filloi të luante kitarë në moshën 5 vjeçare. Tani 21, ai kujton se luante për orë të tëra si fëmijë kur ishte protagonisti kryesor në një film dokumentar për të. Por ai thotë se nuk e ka konsideruar asnjëherë veten një fëmijë të veçantë.

“Muzikantët e rinj, grupi i atyre që quhen si unë, fëmijë me talent, ndjehen të fyer pasi kjo frazë nuk merr në konsideratë mijëra orë pune që duhet të bësh për të qënë në gjendje të prodhosh një tingull në instrumentin tënd”.

Ky sentiment përkrahet nga Rasta Thomas i cili cilësohej gjithashtu fëmijë me talent. Ai tani ka kompaninë e tij të kërcimit Bad Boys of Dance:

“Po t’i japësh çdo fëmije shtatë vjeçar trajnimin që mora unë, do të marrësh një produkt të aftë, pasi unë kam patur orë dhe orë të tëra dhe një milionë dollarë të investuara në trajnimin që mora”.

Psikologia Winner, autorja e librit “Fëmijët e Talentuar, Mitet dhe Realitetet” nuk është dakort.

“Mendoj se këta fëmijë kanë lindur me talent. Nuk mund ta bësh një fëmijë të talentuar. Besoj se ata kanë nevojë të inkurajohen për të lulëzuar”.

Julian Lage shprehet:

“Kisha ambjentin, kisha prindërit, familjen, që më ndihmonin për të më dhënë energji”.

Zoti Thomas thotë gjithashtu se suksesin e kishte nga ajo mundësi që iu krijua.

“Në fund të fundit çdo gjë e kam nga prindërit dhe mësuesit e mi”.

Si përfundim, si natyra e fëmijës edhe familja kontribuojnë në suksesin si të fëmijëve ashtu edhe të të rriturve. //kh//

XS
SM
MD
LG