Lidhje

Armstrong: Gara në hapësirë i shërbeu një qëllimi të vlefshëm


Neil Armstrong, njeriu i parë që shkeli në Hënë, tha se gara e hapësirës në vitet 50 dhe 60, ishte shembull i konkurrencës paqësore mes dy superfuqive rivale. Astronauti legjendar i bëri komentet mbrëmë në Muzeun e Hapësirës në Uashington me rastin e 40 vjetorit të shkeljes së tij në sipërfaqen e Hënës gjatë misionit Apollo 11.

Komandanti i misionit Apollo 11, Neil Armstrong do të mbahet mend gjithmonë për zbritjen e parë në Hënë si dhe për fjalët e tij të pavdekshme:

"Një hap i vogël për njeriun, një kapërcim i madh për njerëzimin."

Ai thotë se gara e hapësirës mes Shteteve të Bashkuara dhe ish Bashkimit Sovjetik e cila kulmoi me misionet Apollo i shërbeu një qëllimi të vlefshëm.

"Kjo ishte gara paqësore më sublime: Shtetet e Bashkuara ndaj Bashkimit Sovjetik. Ishte garë intensive. Ajo i lejoi të dyja palët të ndiqnin rrugën fisnike që kishte si objektiv shkencën, dijen dhe eksplorimin. Në fund të fundit, ajo solli atë mekanizëm që çoi në bashkëpunim mes dy ish armiqve. Në këtë kuptim, ky ishte një investim i jashtëzakonshëm kombëtar për të dyja palët."

Imazhet e Armstrongut dhe të pilotit të modulit hënor, Edwin "Buzz" Aldrin mbi sipërfaqen e Hënës u panë nga më shumë se gjysmë miliardi njerëz në Tokë. Edhe sot, misioni Apollo 11 mbetet një ndër arritjet më të mëdha teknologjike të njerëzimit.

Në Muzeun e Hapësirës, Aldrin bëri një thirrje pasionante për rigjallërimin e programit amerikan të hapësirës dhe për dërgimin e njeriut në planetin Mars.

"Amerikë, a vazhdon të kesh ëndrra të mëdha? A beson ende në veten? A je e gatshme për një sfidë të madhe kombëtare? I bëj thirrje brezit të ardhshëm dhe udhëheqësve tanë politikë të japin këtë përgjigje: “Po, ne mundemi!""

Zbritja në Hënë shënoi fitoren e Amerikës në garën e hapësirës gjatë Luftës së Ftohtë.

Kjo garë filloi në vitin 1957 kur Bashkimi Sovjetik lëshoi në orbitë satelitin Sputnik 1. Kjo bëri që Presidenti Kenedi të shpallte në vitin 1961 premtimin për të dërguar brenda asaj dekade njeriun e parë në Hënë, premtim i cili u realizua si sot 40 vjet më parë, më 20 korrik 1969.

Për udhëtimin në Hënë u zgjodhën tre astronautë: Armstrong, Aldrin dhe Michael Collins. Ishte një udhëtim plot rreziqe që do t’i fuste të tre ata në histori.

Pas një udhëtimi prej 4 ditësh, të tre hynë në orbitën e Hënës. Në një moment, moduli hënor i quajtur Eagle – Shqiponja, u shkëput nga anija e hapësirës dhe filloi uljen drejt Hënës. Në bord ishin Armstrong dhe Aldrin.

Pas një uljeje dramatike, duke shmangur një krater të thellë, Armstrong hodhi hapin e parë në Hënë dhe bëri përshkrimin e parë të sipërfaqes së shkretë dhe me pluhur mbi të cilën kishte shkelur. Dy astronautët mahnitën botën me ato pak orë që kaluan në Hënë duke bërë eksperimente dhe fotografi.

Miliona njerëz e ndoqën uljen në Hënë në televizorët bardhë e zi të kohës.

Sot, pas 4 dekadash, Amerika aspiron të kthehet në Hënë dhe planet janë që deri në vitin 2020 të dërgohet përsëri njeriu në sipërfaqen e saj por kësaj here të ngrihet atje një bazë.

Këto plane bazohen në ndërtimin e raketave të reja shumë më efikase se sa apo që u përdorën për misionin Apollo.

Por sytë e optimistëve nuk janë të drejtuar vetëm nga Hëna. Në Konferencën që u mbajt mbrëmë këtu në Uashington për nder të 40 vjetorit të zbritjes së njeriut në Hënë, Buzz Aldrin tha se Armstrongu u ul në Hënë 66 vjet pas fluturimit të parë me aeroplan të realizuar nga vëllezërit Wright. Tani, tha ai, detyra e njerëzimit është të ulet në planetin Mars 66 vjet pas zbritjes në Hënë. Gjë që do të realizohej në vitin 2035. //ii

XS
SM
MD
LG