Lidhje

Trafiku njerëzor, dukuri alarmuese edhe në SHBA


Sipas një raporti të fundit më shumë se 100 mijë amerikanë nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare në Shtetet e Bashkuara janë viktima të trafikut të seksit. Ndërsa tregëtia paligjshme e seksit shpesh trajtohet si një sëmundje e keqe e vendeve në zhvillim, dje ekspertët u thanë ligjvënësve në kongreë se kjo dukuri është problem serioz edhe në Shtetet e Bashkuara.

Në një operacion sekret, një aktivist i organizatës Shared Hope International e cila shpëton viktimat e trafikut të seksit, bëri një marrëveshje me një tutor prostitutash në një rrugë në Shtetet e Bashkuara. Kjo skenë nxjerr në pah seriozitetin këtij problem të njohur në botë—prostitucionit të grave të reja dhe fëmijve.

Një raport i ri nga organizata Shared Hope International tregon se sa serioz dhe i përhapur është ky problem në Shtetet e Bashkuara.

Ish-anëtarja e kongresit Linda Smith, themeluese e Shared Hope International, flet për seriozitetin e këtij problemi në një takim të organizuar nga Grupi për të Drejtat e Viktimave në Kongres.

"Hulumtimet tona tregojnë se kjo dukuri ndodh në çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Në fillim unë mendova, 'Jo, kjo nuk ndodh në qytetin tim'. Por në fakt kjo dukuri është prezente në qytetin tim".

Ky studim dokumenton raste të fëmijve që janë viktimë e trafikut të seksit në gjithë vendin—nga Florida derin në Nevada, në qytete të mëdha dhe në pjesët rurale të vendit.

Sipas këtij raporti, mesatarja e moshës së fëmijve që përfundojnë në prostitucion në Shtetet e Bashkuara është mes moshës dymbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë vjeçare. Shumica e tyre kanë ikur nga shtëpitë e tyre, janë joshur në tregun ilegal të seksit nga burra që u kanë ofruar atyre strehim. Disa nga këta femijë janë bërë përdorues të drogës—metodë e përdorur nga tutorët e prostitucionit për t'i mbajtur nën kontroll. Rrahjet dhe kërcënimet fizike janë bërë normë.

Por avokatët e fëmijve që janë viktima të trafikut të seksit thonë pavarësisht nga abuzimet që u bëhen shpesh këta fëmijë identifikohen si kriminelë, arrestohen, dhe futen në burg ose në qendra burgimi të fëmijve.

Ernie Allen është president i Qendrës Kombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfytëzuar.

"Këta fëmijë janë viktima. Kjo është skllavëria e shekullit njëzet e një. Atyre u mungon mundësia për t'u larguar nga ky fenomen. Tutorët e prostitutave të cilët i shfrytëzojnë dhe pastaj hedhin në rrugë, janë kriminelë, siç janë ata që i frekuentojnë ato."

Avokatët e fëmijve që janë viktima të trafikut të seksit thonë se t'i akuzosh këta fëmijë për krime është shkelje e të drejtave të tyre dhe i pengon ata për të marrë ndihmën që u nevojitet. Ata lobojnë për një sistem që i mbron dhe rehabiliton këta fëmijë.

Përfaqësuesi republikan Ted Po nga Teksasi, bashkë-kryetar i Grupit për të drejtat e viktimave në kongres, tha para panelit se ka më shumë masa mbrojtëse për viktimat e huaja të tregut të seksit në Shtetet e Bashkuara sesa për qytetarët amerikanë.

"Nëse je fëmijë i huaj që gjendesh në Shtetet e Bashkuara dhe je i përfshirë në trafikim, policia do të trajtojë si një viktimë e krimit. Por, nëse je amerikan dhe disa trafikantë të gjejnë dhe abuzojnë dhe pastaj të shesin në Shtetet e Bashkuara, trajtohesh si kriminel."

Raporti i Shared Hope International kritikon kongresin amerikan se ka dështuar të autorizojë më shumë fonde për shërbimet sociale dhe strehë për viktimat e trafikimi të seksit.

Anëtari i dhomës së përfaqësuesve Kris Smith, një republikan nga Nju Xhërsi, thotë se është gjithmonë e vështirë të gjesh fonde nëpërmjet ciklit të zakonshëm të buxhetit të kongresit. Ai sugjeron si alternativë për organizatat që veprojnë në terren përpilimin e projekteve që mund të financohen nga fondet federale.

"Flisni me organizatat fetare në rrethet tuaja, flisni me njerëz që janë të aftë të ofrojnë strehim dhe pyesni ata nëse do të jenë të gatshëm të përkrahin projektet tuaja, dhe pastaj do të merrni fonde federale."

Ekspertët pajtohen se mënyra më e mirë për luftimin e trafikimit të seksit është përqëndrimi i forcave që zbatojnë ligjin në eliminimin e kërkesave për këtë lloj biznesi.

Për ta bërë këtë, duhet bërë me shumë në ndalimin e atyre që paguajnë për seks me fëmijët, përfshirë këtu ndëshkime më të ashpra me burgim për kundravajtësit. //kk//

XS
SM
MD
LG