Lidhje

Presidenti Obama mbron propozimin për sistemin shëndetësor


Presidenti Barak Obama e ka bërë reformën në sistemin shëndetësor përparësi në politikën e tij të brendshme dhe kjo temë dominoi konferencën e tij të shtypit që u transmetua mbrëmë në mbarë vendin. Presidenti shfrytëzoi rastin për të paraqitur argumentat e tij për reformë drejtpërdrejt tek populli amerikan.

Presidenti Obama kërkoi të bindte publikun skeptik amerikan se ndryshimet e propozuara në sistemin e kujdesit shëndetësor do të ishin në të mirë të tyre dhe do të forconim ekonominë.

Presidenti paraqiti argumetat e tij më të fuqishme për të shpëtuar planin e tij duke premtuar se barra nuk do të bjerë mbi taksapaguesit e klasës së mesme amerikane. Për here të pare presidenti tha se do të ndihmojë të paguajë për planin duke rritur taksat për familjet me më shumë se 1 milionë dollarë të ardhura në vit.

Me anketat që tregojnë uljen e mbështetjes për reformën në kujdesin shëndetësor, dhe me partinë republikane të rigjallëruar në Uashington, presidenti mori mbi vete një mision.
Ai thirri konferencën e shtypit për të përçuar një mesazh tek publiku amerikan – se reforma në shëndetësi është e nevojshme dhe është e nevojshme sot.

"Nuk mund të përballojmë dot më atë që po bëjmë tani,"- tha Presidenti.

Ai tha se synimi është që siguracioni shëndetësor të jetë i përballueshëm për sa më shumë amerikanë dhe të shkurtohen çmimet e kujdesit mjekësor si për individët edhe për qeverinë e cila subvencionon siguracionin për të moshuarit dhe të varfërit.

"Në se nuk i kontrollojmë këto kosto, nuk do të jemi në gjendje të kontrollojmë defiçitin tonë. Në se nuk reformojmë kujdesin shëndetësor, pagesat tuaja do të vazhdojnë të rriten. Në se nuk veprojmë 14 mijë amerikanë do të vazhdojnë të humbasin siguracionin shëndetësor çdo ditë,"- tha Presidenti.

Presidenti tha se i ka kërkuar Kongesit të miratojë legjislaturën deri në gusht pasi pa një afat kohor, asgjë nuk arrihet në Uashington.

"Kam besim se në se këmbëngulim, punojmë dhe jemi të vëmendshëm dhe të ndershëm, në se pranojmë kritikat dhe modifikojmë planet që i paraqiten Kongresit për t’u përgjigjur shqetësimeve dhe kritikave, mund të miratojmë projektligjin që do të përmirësojë jetët e amerikanëve," - tha ai.

Por republikanët thonë se presidenti po lëviz shumë shpejt me planin. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Miç Mekonell:

"E pamë këtë me paketën stimuluese, përpjekjet për të nxituar dhe shpenzuar. Çfarë do të ndodhte në se nuk paraqit legjislacione para njerëzve pa mundësinë të kuptojnë çfarë pritet të arrihet," - tha zoti Mekonell.

Republikani Xhon Bohner:

"Mendoj se amerikanët shohin sot një qeveri të madhe që merr në kontroll kujdesin shëndetësor me një plan që ata nuk e mbështesin."

Presidenti u tha gazetarëve se kjo politikë është e zakonshme nga republikanët, duke theksuar se disa prej tyre kanë thënë se duan që reforma në sistemin shëndetësor të shënojë rënien e Barack Obamës. Ai tha se debati nuk është për të por për të gjithë ata që ndikohen nga kriza në kujdesin shëndetësor.

"Kjo është për çdo familje, çdo biznes dhe çdo taksapagues që vazhdon të mbajë mbi supe një problem që Uashingtoni ka dështuar ta zgjidhë për dekada me radhë,"- tha Presidenti.

Kjo ishte konferenca e parë zyrtare për shtyp e Presidentit, që kur ka marrë postin, ku nuk u shqyrtua asnjë çështje e politikës së jashtme.

Pothuajse të gjitha pyetjet kishin të bënin me kujdesin shëndetësor – një shënjë kjo e nivelit të lartë të interesit për këtë çështje jo vetëm në Uashington por në mbarë vendin. Presidenti vazhdon fushatën e tij sot me një vizitë në një klinikë në Klivlend të shtetit Ohajo, për t'i dhënë shtytje reformës në sistemin shëndetësor.//lk





XS
SM
MD
LG