Lidhje

Shqipëri: Kolegji zgjedhor mbyll shqyrtimin e ankesave


Në Shqipëri kolegji zgjedhor mbylli sot shqyrtimin e të gjitha cështjeve të ankimuara nga forcat politike për procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit duke i hapur rrugë nxjerrjes zyrtare të rezultateve nga komisioni qëndror i zgjedhjeve.

Kolegji zgjedhor rrëzoi sot të gjitha ankimimet e bëra për Shkodrën dhe Tiranën nga Partia socialiste, partia demokratike ajo demokristiane dhe Lëvizja për zhvillim Kombëtar. Të gjithë kërkesat u konsideruan të pabazuara në ligj.

Në këtë mënyrë mbetet tashme që komisioni Qëndror i zgjedhjeve të shpërndajë mandatet edhe për këto dy qarqe duke i dhënë formën përfundimtare edhe parlamentit të ardhshem i cili do të përbëhet nga 70 deputetë të koalicionit të djathtë të udhëhequr nga partia demokratike, 66 deputetë të koalicionit të partisë socialiste dhe 4 deputetë të Lëvizjes socialiste për integrim.

Megjithatë parlamenti i ri nuk do të mund të mblidhet para datës 4 shtator, e për këtë arsye edhe qeveria e re që do të lind nga bashkëpunimi mes demokratëve dhe Lëvizjes socialiste për integrim pritet të marrë formë gjatë fundit të muajit gusht për të nisur punën menjëherë pas mbledhjes së parë të parlamentit. (ze)

XS
SM
MD
LG