Lidhje

Bizneset e vogla paguajnë 20 për qind më shumë sesa të mëdhatë


Presidenti amerikan Barak Obama vuri në dukje një studim të ri që tregon se bizneset e vogla paguajnë afro 20 për qind më shumë për sigurimet shëndetësore të punonjësve të tyre sesa bizneset e mëdha.

Në fjalimin e tij në radio të shtunën, zoti Obama e cilësoi gjendjen si të paqëndrueshme dhe të papranueshme.

Studimi i ri u krye nga Këshilli Ekonomik i Shtëpisë së Bardhë dhe tregon se 1 e treta e bizneseve të vogla kanë shkurtuar sigurimet shëndetësore, ndërsa të tjerat kanë eliminuar plotësisht sigurimet ose kanë shkurtuar vende pune.

Zoti Obama tha se plani i tij për reformimin e sistemit shëndetësor do ta përmirësojë gjendjen.

Republikanët argumentojnë se reformat që ka propozuar presidenti do të dëmtojnë biznesin e vogël, pasi do t’i detyrojnë pronarët e këtyre bizneseve të paguajnë sigurime shëndetësore për punonjësit ose të ndëshkohen me taksa më të larta, apo me gjoba.

Në fjalimin radiofonik të republikanëve, ligjvënësja Cathy McMorris Rodgers tha se kostoja e këtij plani për bizneset e vogla do të çojë në shkurtimin e miliona vendeve të punës. Ajo e cilësoi planin e presidentit si “recetë për katastrofë.” //bsa//

XS
SM
MD
LG