Lidhje

Decentralizimi i pushtetit dhe zgjedhjet lokale në Kosovë


Autoritetet në Kosovë shprehen të përkushtuara që të zbatojnë procesin e decentralizimit të pushtetit lokal si rrugë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit. Por, plani aktual për decentralizimin përballet me pakënaqësinë e shqiptarëve dhe kundërshtimin e serbëve. Decentralizimi është pjesë e planit të Martti Ahtisaarit dhe ai parasheh pos tjerash krijimin e pesë komunave të reja me shumicë serbe dhe zgjerimin e një komune ekzistuese. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se që në fillim të punës, decentralizimi nuk ishte shumë i popullarizuar dhe ishte i kritikuar nga shumë anë. "Një pjesë e qytetarëve shqiptar e kanë kritiku me dilemën se nëse ne tani kemi komuna me shumicë të komunitetit serb që nuk funksionojnë sipas sistemit unik , nëse ne i risim ato komuna do të fitojmë probleme apo do të tejkalojmë probleme, nga ana tjetër kemi pas hezitimin po ashtu të një pjese të qytetarëve të komunitetit serb dhe liderëve lokal që në rast se ata marrin pjesë në proces dhe normalizohet jeta marrin të gjitha të drejtat , faktorizohen në nivelin lokal konform ligjeve atëherë shoqëria kosovare do të duket si shoqëri normale , do ti shkojë për shtati fuqizimit të shtetit pra janë bazuar në motive politike të së kaluarës." thotë zoti Ferati

Kjo thotë ministri Ferati ka bërë që gjendja të jetë mjaft e pafavorshme dhe ky proces vazhdon të jetë një sfidë e veçantë, posaçërisht në veriun e vendit, skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës. "Sfida kryesore akoma është sjellja e Beogradit disa qarqeve ekstreme politike sidomos në veriun e Kosovës të cilët vazhdimisht e rezistojnë dhe bëjnë gjithçka që të bojkotohet ky proces." thotë ministri Ferati

Zoti Ferati ka tërhequr vërejtjen se zgjedhjet lokale të caktuara për 15 nëntorin e këtij viti nuk duhet të lidhën domosdoshmërisht me procesin e decentralizimit të pushtetit, një proces ky që parashihet të përmbyllet brenda tri vitesh. Ai është i bindur se edhe pjesëtarët e komunitetit serb do të pranojnë procesin e decentralizimit dhe të fillojnë të heqin dorë nga strukturat paralele në zonat e banuara prej tyre. "Strukturat paralele kanë qenë një improvizimi i pushtetit, një improvizim i qeverisjes dhe ata vet nuk janë të kënaqur , tani kemi zëra nga Beogradi dhe vet liderët lokal serb ata e dëshirojnë që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale por se pengesa është që ato implementohen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe konform ligjeve të Republikës së Kosovës dhe kanë dilema si të ndodh ajo , të marrin pjesë në zgjedhjet lokale por që ajo të mos duket që e pranojnë shtetin e Kosovës , shikojmë kemi edhe disa muaj deri në zgjedhjet lokale që të shohim se si po rrjedhin çështjet." thotë ministri Ferati

Decentralizimi vazhdon të mbetet një nga sfidat e rëndësishme për institucionet e Kosovës të cilët nga njëra anë përballen me shqetësimet e shumicë shqiptare se ky proces mund të çojë në ndarje etnike, ndërsa nga ana tjetër me vështirësitë e integrimit dhe bindjes së komunitetit serb i cili i mbështetur nga Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe institucionet e saj


XS
SM
MD
LG