Lidhje

Senati amerikan heq fondet për aeroplanët luftarakë F-22


Këtë javë në Uashington, Senati amerikan votoi për të hequr nga një projektligj i mbrojtjes një shumë prej 1.75 miliardë dollarësh për prodhimin e avionëve luftarakë F-22. Votimi u realizua pas një përpjekjeje intensive nga administrata Obama për të reduktuar fondet për këtë avion të sofistikuar luftarak.

Tipi F-22 është modeli më i sofistikuar i avionëve luftarakë në botë, i projektuar për të asgjesuar avionët e armikut në betejë ajrore. Por ky avion nuk u ka shërbyer luftrave në Irak e Afganistan, që po zhvillohen kryesisht si beteja tokësore.

Sipas Presidentit Barak Obama, mbrojtja e vendit nuk ka më nevojë për avionë F-22, duke arritur me sukses të eliminojë këtë shpenzim ushtarak në kohë lufte.

Masa përputhet edhe me synimet e Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gates i cili preferon avionë më të vegjël që i përshtaten më mirë shekullit të 21-të dhe përballjes me lëvizje kryengritëse.

Zoti Obama kërcënoi se do të përdorte veton, nëse Senati miratonte fondet për avionët F-22.

“Në një kohë që jemi të angazhuar në 2 luftra dhe jemi përballë një deficiti të madh, ky do të ishte një shpërdorim i pajustifikueshëm fondesh.”

Jim Asker është redaktor përgjegjës i revistës Aviation Week and Space Technology:

“Megjithëse kjo masë shënoi fitore për administratën Obama dhe Sekretarin Gates, ajo nuk nënkupton vdekjen e avionit F-22.”

Disa nga përkrahësit e F-22-shit po përpiqen të heqin embargon për eksportin e këtij avioni në vende të tjera, si Japonia. Zoti Asker thotë se kjo do të mundësonte prodhimin e më shumë avionëve se sa objektivi aktual për 187 avionë.

Shumë senatorë i dolën në mbrojtje programit të avionëve, duke thënë se eliminimi i prodhimit do të shkurtonte mijëra vende pune në shtetet e tyre dhe do të dëmtonte mbrojtjen në periudhën afat-gjatë.

“Shtetet e Bashkuara kanë gëzuar një epërsi të madhe teknologjike në Forcat Ajrore, krahasuar me forcat ajrore të vendeve të tjera. Është ngritur shqetësimi se nëse Shtetet e Bashkuara flenë mbi dafina, vendet e tjera mund ta arrijnë këtë nivel teknologjik.”

Në prill, Sekretari i Mbrojtjes Gates njoftoi planet për të investuar më shumë fonde në aspektin e zbulimit dhe personelit dhe për të shkurtuar fondet për sisteme armësh si avionët F-22.

“Mendoj se rëndësia e votës qëndron në përgjigjen e pyetjes nëse Uashingtoni e mori këtë vendim pasi mbështet idenë e Sekretarit Gates. Është vënë theksi me të madhe tek teknologji që janë shumë të specializuara për të bërë një gjë të vetme dhe që kushtojnë shumë shtrenjtë.”

Administrata ka në plan të zhvendosë fondet në favor të avionëve luftarakë me një motor të tipit F-35, që do të përdoren nga Marina amerikane.

XS
SM
MD
LG