Lidhje

Pakistani arreston klerikun ndërmjetës të marrëveshjes


Pakistani ka arrestuar një klerik radikal islamik i cili ndërmjetësoi një marrëveshje të dështuar paqeje me militantët në Luginën Suat.

Ministri i Informacionit të Provincës kufitare Veriperëndimore e konfirmoi për Zërin e Amerikës se Maulana Sufi Muahamed është ndaluar nga autoritetet.

Ai tha se Muhamed u arrestua në Peshavar sot, për nxitjen e dhunës duke ndihmuar militantët, dhe për minimin e fushatës së qeverisë kundër terroristëve në rajon.

Ministri i Informacionit tha se Muhamed do të dilte para gjykatës në bazë të provave të një hetimi mbi veprimtaritë e tij.

Kleriku kishte ndihmuar në negociatat për marrëveshjen e paqes në shkurt e cila u kërkonte militantëve të drejtuar nga dhëndërri i tij Maulana Fazlullah të çarmatoseshin në shkëmbim të vendosjes së ligjit islamik të Sheriatit atje.

Armëpushimi mes qeverisë dhe militantëve mori fund në prill kur militantët filluan të afroheshin në distriktet aty pranë.//lk

XS
SM
MD
LG