Lidhje

Ministrat e BE mbështesin kërkesën e Islandës për antarësim


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë mbështetur aplikimin e Islandës për antarësim në BE dhe thonë se bisedimet e antarësimit mund të ecin më shpejt se me vende të tjera kandidate.

Ministri i Jashtëm suedez Karl Bilt, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, tha se negociatat me Islandën pritet të zgjasin më pak, pasi ky vend është tashmë anëtar i tregut të përbashkët evropian dhe i zonës Shengen për udhëtime pa pasaporta.

Analistët thonë se ky vend i i vogël në Atlantikun Verior me një popullsi prej vetëm 300 mijë banorësh, përmbush aktualisht pjesën më të madhe të kritereve të Bashkimit për antarësim. Islanda ka nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë nga vendet evropiane me përjashtim të Luksemburgut. Por pritet që gjatë negociatave të shfaqen fërkime kur të diskutohen të drejtat e peshkimit si dhe kapaciteti i Islandës për të kompensuar shtetas britanikë e holandezë, të cilët kishin depozituar para në një bankë islandeze që falimentoi.

Negociatat e antarësimit kanë ngecuar aktualisht për shumë vende kandidate të Ballkanit, dhe si rezultat zoti Bildt dhe zyrtarë të tjerë evropianë paralajmëruan sot në Bruksel që antarësimi i shpejtë i Islandës të mos bëhet në kurriz të vendeve të tjera.

Anëtarësimi i Kroacisë është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve ujore me Slloveninë. Shqipëria dhe Maqedonia ende nuk janë ftuar të fillojnë bisedimet, megjithëse e paraqitën kërkesën para Islandës. Maqedonia është përfshsirë në një mosmarrëveshje për çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa Shqipëria është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë për moszbatimin e reformave të duhura institucionale dhe për korrupsionin e lartë.//ii

XS
SM
MD
LG