Lidhje

Shqipëri: KQZ miraton mandatet e fundit të deputetëve


Në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot mandatet e fundit të deputetëve në Qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Fierit, duke bërë praktikisht gati rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , Arben Ristani, tha se akuzat e partive ndaj punës së K.Q.Z.-së janë emocionale dhe të pabazuara. Zoti Ristani pohoi se procesi zgjedhor i 28 qershorit u dëmtua vetëm nga mosbesimi i partive politike. Ai hodhi poshtë pretendimet për rinumërim të votave në 4 qarqe, duke u shprehur se rinumërimi do të shkatërronte zgjedhjet.

Sot 30 ditë pas zgjedhjeve të qershorit, deklarimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve shqiptare ka mbetur një formalitet, ndërsa K.Q.Z.-ja miratoi mandatet e deputetëve të 3 Qarqeve të fundit; Tiranë, Fier dhe Shkodër. Ndonëse rezultati ishte gati qysh sot, kryetari i K.Q.Z.-së, Arben Ristani, citoi një nen të Kodit Zgjedhor, i cili shtyn edhe 5 ditë të tjera, deri të shtunën deklarimin zyrtar të rezultateve me shifra, mandate dhe tabela. Ai thotë që, ndonëse duket se kanë kaluar shumë ditë, nxjerrja e rezultateve është brenda të gjitha afateve ligjore të Kodit Zgjedhor.

“Gjithsesi, dua të them, që për mendimin tim, ky proces zgjedhor ka qenë më i miri i gjithë këtyre zgjedhjeve që janë mbajtur qysh nga viti 1990 në Shqipëri. Procesi ka qenë më transparenti i mundshëm” - tha zoti Ristani.

Zoti Ristani tha më tej se kritikat e partive ndaj punës së K.Q.Z.-së ishin emocionale dhe të pabazuara.

“Pati probleme; por të gjithë e konstatuan se në fakt problemet erdhën nga mosbesimi që kishin partitë politike ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj procesit. Kjo shkaktoi një zvarritje të procesit të numërimit . Kishte mundësi që procesi i numërimit të kryhej më shpejt nga sa ndodhi. Unë besoj se ky ishte difekti i vetëm i këtyre zgjedhjeve, pasi K.Q.Z.-ja nuk la më vend për të ndodhur apo për të diskutuar për parregullsi të tjera në procesin zgjedhor.” - tha zoti Ristani.

Kryetari Ristani tha se midis kritikave të ndryshme ai mund të pranonte vërejtjen e ekspertëve të OSBE/ODIHR-it për mosndërhyrje energjike të K.Q.Z.-së në disa situata gjatë numërimit të votave.

“Unë do të pranoja një vërejtje që është bërë nga ODIHR-i për një ndërhyrje më energjike ndoshta në vendet e numërimit të votave. Por që gjithsesi edhe ajo është me një pikëpyetje. Në fakt, ne ndërhymë në mënyrë energjike në 4 komisione të Fierit dhe në 1 komision të Lezhës, dhe me tre inspektorë mbajtëm nën kontroll numërimet e votave në Bushat dhe ishte e pamundur për K.Q.Z.-në të mbante nën kontroll të gjitha vatrat ku partitë politike filluan të nxirrnin probleme” - tha ai.

Zoti Ristani thotë se në fund të fundit vetëm dy ishin problemet e këtyre zgjedhjeve; rishqyrtimi i Fierit dhe kërkesa për rinumërim të votave në 4 Qarqe. Sipas tij, e para u kalua me sukses, ndërsa e dyta ishte e pabazuar në ligj.

“Ne pamë se mundësia që jep ligji për të rinumëruar në kërkim të provës së shkeljes, u përdor si një mundësi për të rinumëruar Qarqet në tërësi. Kjo do t’i hapte rrugë - unë e them me plot gojën - shkatërrimit të zgjedhjeve; dy anëtarë të K.Q.Z.-së kërkuan të rinumëroheshin 4 Qarqe, dy të tjerë mund të kërkonin që të rinumëroheshin 6 Qarqe të tjera dhe praktikisht kjo do të thoshte që të ribëje edhe një herë të gjithë rinumërimin e votave në të gjithë Shqipërinë, kompetencë kjo që K.Q.Z.-ja nuk e ka ligjërisht” – tha zoti Ristani.

Krahas një Kodi Zgjedhor dhe një KQZ-je të miratuar me konsensusin e forcave kryesore politike, Shqipëria mbajti këtë verë zgjedhje të përgjithshme më 28 qershor me një mori risish teknologjike; me dokumenta identiteti digjitale, me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, me regjistra të kompjuterizuar kombëtarë të shtetasve, me dhjetëra telekamera on line dhe qendra moderne të numërimit të votave, dhe një process fare të thjeshtëzuar votimit nga sistemi proporcional. Por asgjë nga gjithë këto pajisje të reja elektronike nuk e zhduku dot as këtë vit mosbesimin e partive politike për njëra-tjetrën dhe për një proces të rregullt zgjedhor. //ii

XS
SM
MD
LG