Lidhje

Bisedimet SHBA-Kinë dhe ekonomia globale


Sekretari amerikan i Thesarit Timothi Gajtner tha se zyrtarët kinezë dhe ata amerikanë po diskutojnë lidhur me masat që mund të marrin për të ndihmuar më tepër rritjen ekonomike globale.

Sekretari Gajtner i bëri këto komente në fillim të ditës së dytë dhe të fundit të Dialogut Strategjik dhe Ekonomik mes SHBA dhe Kinës, që po zhvillohet në Washington. Zoti Gajtner tha se zyrtarët amerikanë dhe kinezë e dinë se vendimet ekonomike që marrin të dy vendet janë “tepër të rëndësishme për qëndrueshmërinë e ekonomisë botërore në tërësi”. Ai tha se të dyja palët po flasin për nevojën e heqjes së barrierave tregtare, dhe mbi mënyrat për të ndihmuar në mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Zëvendës-kryeministri kinez Wang Qishan tha se Pekini do të shtojë shpenzimet e konsumatorëve në Kinë, për të nxitur rritjen e brendshme ekonomike. Zyrtarët amerikanë e kishin kërkuar këtë vendim, në mënyrë që Kina të mbështetet më pak tek eksportet në SHBA.

Ndërkohë, zoti Wang i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të lehtësojnë kufizimet ndaj eksportit të mallarve të teknologjisë së lartë në Kinë. (ze)

XS
SM
MD
LG