Lidhje

Përpjekje për vaksinën kundër gripit A-H1N1


Në fillim të këtij viti, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u dha disa kompanive farmaceutike një mostër të gripit të derrave që ato të mund të fillonin prodhimin e vaksinave për prova në laborator, që mund të fillojnë muajin e ardhshëm.

Universiteti Emori në Atlanta është një prej klinikave ku do të provohen vaksinat. Dr. Mark Mulligan thotë se ka nevojë për 300 vollnetarë.

“E vetmja mënyrë për zhvillimin e një ilaçi të ri është nëpërmjet pjesëmarrjes së komunitetit. Ne shpresojmë se në kushtet e emergjencës kombëtare, shqetësimet që ekzistojnë mes njerzve do të bëjnë që ne të kemi shumë vullnetarë”.

Tetë klinika në gjithë Shtetet e Bashkuara do të provojnë vaksinat, së pari tek të rritur të shëndetshëm, e pastaj tek të gjithë grup-moshat. Shpresohet që deri nga mesi i tetorit të jenë gati rreth 100 milion doza vaksine. Universiteti Vanderbilt është mes 8 klinikave, ku do të provohet vaksina.

“Skenari më i rëndë, thotë Dr. Uilliam Shefner i Universitetit Vanderbilt, do të ishte sikur rastet e infektimit me virusin H1N1 të ishin të shumta që në fillim para se të zhvillohet vaksina”.

Siç ndodh me çdo vaksinë që prodhohet me nxitim, ka shqetësime rreth rrezikut të efekteve anësore ose për reaksionin alergjik që mund të shkaktojë në organizëm.

Megjithatë zyrtarët e sektorit të shëndetit publik janë të shqetësuar rreth mundësisë së epidemisë së virusit H1N1.

Në muajin prill, ky grip bëri që një numër shkollash të mbylleshin dhe ato nuk u hapën deri sa u dezinfektuan.

Sekretari amerikan i arsimit, Arni Dankën është i shqetësuar se sa shkolla mund të mbyllen këtë vit për shkak të virusit.

“Vitin e kaluar ne patëm fat pasi virusi nuk u shfaq deri nga fundi i vitit shkollor. Ne nuk do ta kemi këtë fat vitin e ardhshëm shkollor, prandaj duhet të jemi gati”.

Shkencëtarët nuk e dinë se pse disa njerëz janë më të rrezikur nga ky virus se disa të tjerë. Por ata që preken nga virusi H1N1 shpesh janë fëmijë shkollash, adoleshentë dhe të rinj.

Mjekët në Qendrën Kombëtare të Mjeksisë për Fëmijët këtu në Uashington kanë kërkuar më shumë maska, respiratorë dhe ilaçe kundër gripit. Dr. Peter Holbrook thotë se spitali është gati t’i fusë fëmijët në karantinë nëse kjo është e nevojshme.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për mundësinë se virusi H1N1 do të shfaqet në raste të shumta”.

Ky virus në fakt nuk është parandaluar. Fëmijët vazhdojnë të preken. Dhjetra kadetë në Akademinë Amerikane të Rojes Bregdetare janë të sëmurë. Përhapja e një gripi në stinën e verës ka habitur zyrtarët e shëndetsisë. Will Humble drejton shërbimet shëndetsore në Arizona.

“Në fakt gjatë gjithë karierës time mbi 20 vjeçare, nuk kam parë kurrë që gripi të shfaqet në mes të verës”.

Agjencia amerikane për ushqimet dhe ilaçet thotë se do të përshpejtojë miratimin e vaksinës kundër gripit H1N1 që ky virus të mos shndërohet në një epidemi. (ze)

XS
SM
MD
LG