Lidhje

Komisioni juridik i senatit miraton gjykatësen Sotomajor


Komisioni juridik i senatit amerikan ka miratuar kandidaturën e gjykatëses Sonja Sotomajor për në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dan Robinson, në një votim të ndarë në vija partiake, trembëdhjetë anetarë të komisionit votuan pro dhe gjashtë kundër kandidaturës së zonjës Sotomajor, hispanikja e parë e kandiduar në këtë pozitë që tani pret konsiderim të plotë nga senati.

Siç ishte parashikuar, të gjithë përveç njërit nga shtatë republikanët në komision votuan kundër kandidaturës së zonjës Sotomajor, duke vënë në dukje elemente nga përvoja e saj në drejtësi dhe deklaratat publike se ajo do të sillte njëanshmëri personale në Gjykatën e Lartë.

Në mesin e gjashtë republikanëve që votuan kundër kandidaturës së zonjës Sotomajor, është senatori Xhef Seshën i cili i cilësoi vendimet e saj si gjykatëse federale si vendime që kanë patur mungesë të analizave të kujdesshme dhe se ato vendime, tregojnë në një farë mënyre, se si ajo do të merrte vendimet në rastet e ardhshme para Gjykatës së Lartë.

“Secili prej këtyre tre vendimeve të rëndësishme meriton të trajtohet me kujdes dhe vëmendje të veçantë. Në secilin rast, vendimet e saj ishin më të shkurta se ç’duhej dhe e vetmja gjë e përbashkët ishte se në vendimet e saj ajo ka favorizuar një qëndrim liberal, dhe ideologji pro-qeveritare kundër të drejtave kushtetuese të individëve.”

Senatori Çarls Grasli, i cili ka votuar kundër kandidaturës së zonjës Sotomajor më 1998 për tu bërë gjykatëse në gjykatën federale të rrethit, thotë se në seancat dëgjimore të kandidaturës së saj për në Gjykatën e lartë ajo ka dështuar ta bind senatorin se ajo do të merrte vendime të paanshme.

“Është e domosdoshme që një kandidat të na bind neve se ai ose ajo do të jetë në gjendje t’i lërë ndjenjat anash, në mënyrë që të marrë vendime të paanshme, me drejtësi dhe të barabarta. Por unë ende nuk jam i bindur se gjykatësja Sotomajor është e aftë t’i rezistojë paragjykimeve personale dhe se preferencat do të diktojnë metodat juridike në Gjykatën e Lartë.”

Gjatë seancave dëgjimore për konfirmim, zonja Sotomajor u ndesh me pyetje të vështira mbi komentet që ajo ka bërë në disa nga fjalimet e saj në të cilat ajo ka thënë se ‘një grua hispanike do të merrte vendime më të mira’ se sa një mashkull i bardhë në gjykimin e një çështjeje.

Kryetari i komisionit të drejtësisë në senat, demokrati nga Vermonti Patrik Lihi, e përshkruajti zonjën Sotomajor si një gjykatëse të përmbajtur, të paanshme dhe të drejtë e cila nuk do të favorizojë një grup apo një tjetër në gjykimet e saj në Gjykatën e Lartë.

Senatori Ras Fajngold dhe kolegia i tij demokratja Dajan Fajnstajn thanë se kualifikimet gjyqësore dhe filozofia e zonjës Sotomajor janë të sprovuara.

“Unë nuk shoh në vendimet e saj një dëshirë të zjarrtë për të rrëzuar ose për të rikrijuar ligje kushtetuese që pasqyrojnë preferencat e saj personale, dhe unë sigurisht që nuk vërej ndonjë lloj anshmërie në vendimet e saj.”

“Ajo ka treguar përkushtim ndaj ligjit. Kjo është parë shumë herë. Ajo ka treguar para nesh një temperament gjyqësor. Kjo është provuar dhe është marrë parasysh. Unë nuk gjej ndonjë shembull të mungesës së besnikërisë ndaj ligjit.”

Miratimi i kandidaturës së gjykatëses Sotomajor nga komisioni i senatit për drejtësi e çon kandidaturën e saj në senatin e plotë, i cili pritet të marrë vendimin javën e ardhshme. //bsa//

XS
SM
MD
LG