Lidhje

SHBA: Teknologjia e re transformon qytetin


Toledoja në shtetin Ohajo është ndër ata qytete të vjetër industrialë të Amerikës që për dekada të tëra kanë shkuar drejt rënies. I njohur dikur për prodhimin e xhamit dhe si nyje për industrinë e makinave, sot ky qytet i ka vënë vetes si detyrë të ripërtërihet por në aspekte krejtësisht të reja.

Ndërkohë që industritë e vjetra po shuhen, disa ekzekutivë i kanë hedhur sytë tek teknologjitë të tilla si ajo e energjisë diellore. Gjatë vitit të kaluar, këtu kanë filluar të ngrihen 5-6 firma të tilla dhe planet janë që Toledoja, ky qytet i industrive të vjetra të kthehet në një nyje të teknologjisë së re.

Doktor Xunming Deng është president i Korporatës Xunlight Corporation.

Xunlight është një prej disa kompnive të reja që prodhojnë panele diellore në Toledo, qytet i cili ndodhet në procesin e një rilindjeje teknologjike dhe prodhimi i paneleve diellore është pjesë e kësaj.

"Kemi vënë re se Toledoja është një vend i mirë për ngritjen e një kompanie panelesh diellore sepse këtu ka shumë njerëz të kualifikuar. Ata i kanë fituar këto aftësi kur punonin në industrinë e xhamit dhe të makinave. Tani, ata merren me prodhimin e pajisjeve për energjinë diellore."


Në fillim të shekullit 19, Toledoja njihej si kryeqyteti i prodhimit të qelqit në Amerikë. Pikërisht këtu lindi prodhimi i madh dhe me çmim të ulët i xhamit. Më vonë, industria e makinave filloi të ketë një prani gjithnjë e më të madhe.

Por të dyja këto industri shkuan drejt rënies dhe po kjo ndodhi edhe me vetë qytetin. Sot, në horizont ende mund të shikosh oxhaqet pa jetë që dikur i përkisnin atyre uzinave. Niveli i papunësisë është 12 përqind, shumë më i lartë se sa mesatarja e vendit.

Sipërmarrës të tillë si Norman Johnston janë të vendosur që xhami të luajë përsëri një rol të madh në të ardhmen e Toledos.

Ai synon ta transformojë Toledon nga një qytet industrial në rënie në nyjen e energjisë së ripërtëritëshme të Amerikës. Kompania e tij, Solar Fields, dhe të tjera firma në Toledo, vazhdojnë punën për krijimin e teknologjisë diellore.

Ky është një proces ku panelet prej qelqi mbulohen me lëndë kimike të cilat prodhojnë rrymë elektrike kur ekspozohen ndaj diellit.

"Pak vite më parë shitjet e celuloidit zinin 2 përqind të tregut ndërsa tani mbi 10 përqind. Arsyeja është se kjo përbën mënyrën më të lirë për të prodhuar panele diellore."

Kjo rritje e tregut të paneleve përkthehet në rreth 6 mijë vende pune në këtë zonë. Norm thotë se këto shifra pritet të rriten në mënyrë dramatike gjatë pak viteve të ardhshëm. Steve Weathers, president i Parteritetit Rajonal të Rritjes, thotë se krijimi i teknologjisë diellore në Toledo është kthyer në përpjekje të të gjithëve.

"Ajo që mund të vesh re është se këtu bashkëpunojnë sektori privat, sektori publik dhe ai akademik. Madje edhe komuiniteti. Të gjithë marrin pjesë në rritjen e kësaj industrie dhe i njohin vlerat që ajo sjell. Sepse kjo krijon vende pune për të gjithë, krijon begati ekonomike për secilin."

Si kompania Xunlight ashtu edhe Solar Fields u ngritën fillimisht në kampusin e Universitetit të Toledos , i cili ka njërin prej programeve më të mirë të teknologjisë diellore në Amerikë. Norm Johnston thotë se marrëdhëniet e kompanisë Solar Fields me Universitetin kanë qenë me rëndësi kritike për suksesin e saj.

"Nëse ke nevojë të flasësh me dikë që njeh inxhinjerinë elektrike dhe ka përvojë në fushën fotovoltaike, atëhere shumë lehtë mund të takohesh këtu çdo ditë me katër profesorë të cilët janë të gatshëm të të ndihmojnë. Pra bëhet fjalë për marrëdhënie jashtëzakonisht të mira."

Xungming Deng është profesor në Universitetin e Toledos. Ashtu si paraardhësit e tij që dikur merreshin me industrinë e xhamit, ai thotë se rritja e industrisë së paneleve diellore varet nga kostoja e ulët e mekanizimit.

"Ne mendojmë se, që panelet diellore të bëhen industria kryesore për prodhimin e energjisë, kjo do të varet se me sa kosto të ulët do të punojmë. Prandaj ka shumë rëndësi që të krijojmë procese prodhimi me kosto të ulët."

Si firma Xunlight ashtu edhe Solar Fields janë ende në fazën e fillimit. Solar Fields ka hyrë në partneritet me një kompani gjermane që po ndërton gjithashtu një uzinë në Gjermaninë Lindore. Të dyja kompanitë shpresojnë ta rrisin ndjeshëm prodhimin brenda një viti për t’i hapur një perspektivë të ndritur teknologjisë diellore në Toledo. //ii

XS
SM
MD
LG