Lidhje

Ndalimi i duhanit dhe reagimet që ka shkaktuar në Turqi dhe SHBA

  • Debora Blok

Kohët e fundit qeveria turke vendosi ndalimin e duhanit në vende të mbyllura, përfshirë baret, restorantet dhe kafenetë. Megjithëse një vend ku duhani është shumë i përhapur, vendimi u prit mirë nga shumë veta në Turqi. Në Shtetet e Bashkuara ndalimi i duhanit është zbatuar në masë të gjerë. Në raportazhin në vazhdim i hedhim një vështrim masës së Turqisë dhe ndikimit që ka pasur në Shtetet e Bashkuara ndalimi i duhanit në vende publike.

Ndalimi i duhanit në Turqi filloi para një viti e gjysmë në zyra, mjete të transportit publik dhe dyqane. Tani kjo masë po shtrihet edhe në mjedise ku pirja e duhanit është e traditës – bare, restorante dhe kafene. Një anketim privat në Turqi tregon se pjesa më e madhe e njerëzve e mbështesin ndalimin e duhanit.

“Është shumë mirë për mua dhe njerëz si unë, që dëmtoheshim nga ata që pinin duhan në mjedise të mbyllura.”

Por shumë duhan-pirës në Turqi thonë se s’kanë ku të shkojnë dhe pronarët e kafeneve janë të shqetësuar se do t’u mbeten lokalet bosh:

“Kur u themi njerëzve që vijnë në lokal se s’mund të pinë duhan brenda, thjesht do i përzëmë dhe nuk do të kthehen më. Ose mund të na dalin probleme nëse i lëmë të pinë duhan. Pra ata s’do të mund të tymosin rehat dhe ne do të falimentojmë".

Amerikani Ron Philips, që pi duhan, është tronditur nga vendimi i Turqisë:

“Të ndalosh duhanin në Turqi është si të ndalosh vodkën në Rusi."

Duhani turk është me famë për cilësinë e lartë dhe Turqia ka një ndër ritmet më të larta të pirjes së duhanit në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 50 për qind e burrave dhe 20 për qind e grave pinë duhan.

Rreth 40 vjet më parë, 42 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara pinin duhan, tani kjo shifër ka rënë nën 20 për qind.

Në vitet ’50 dhe nga fillimi i viteve ’60 pirja e duhanit ishte shumë popullore dhe reklamat e cigareve mbushnin valët e radios dhe televizionit.

Por nga mesi i viteve ’60 qeveria amerikane i ndaloi këto reklama dhe detyroi kompanitë e duhanit të etiketonin paketat e cigareve me paralajmërime për rrezikun e duhanit. Vitet e fundit, fushata kundër duhanit po zhvillohet në nivel shtetesh.

Në vitin 1990 San Luis Obispo në Kaliforni ishte qyteti i parë në botë që ndalonte duhanin në të gjitha ambjentet e mbyllura publike. Sot 27 nga 50 shtete amerikane kanë ligje për ndalimin e duhanit në lokale, ku përfshihen baret dhe restorantet.

Mathew Myers është president i “Fushatës për fëmijë që s’pinë duhan” në Uashington.

“Ndryshimi i ligjeve në Shtetet e Bashkuara, përfshirë kufizimin e duhanit për të pakësuar dëmet tek personat që ekspozohen ndaj tymit të duhanit, kanë ndikuar shumë në uljen e numrit të fëmijëve që fillojnë cigaren. Në 10 vjetët e fundit ka pasur rënie nga 36 për qind në 20 për qind të fëmijëve që fillojnë cigaren në Amerikë."

Shumë pronarë amerikanë restorantesh dhe klubesh fillimisht ishin të shqetësuar për ndikimin që do të kishte ndalimi i duhanit tek biznesi i tyre. Por në shumë raste numri i klientëve u rrit.

Paul Meagher është menaxher i restorantit Hawk ‘n Dove në Uashington. Ai thotë se kur filloi ndalimi i duhanit në Uashington në vitin 2007, biznesi nuk u dëmtua, megjithëse disa duhan-pirës kishin shprehur zemërim.

“Një numër i vogël ishin zemëruar, por vazhduan të frekuentojnë lokalin. Ata dilnin jashtë të pinin cigare dhe u mësuan me ndryshimin."

Disa pika në Uashington kanë marrë leje që i përjashton nga ligji, përfshirë këtu klubet e pirjes së purove. Një prej tyre është Shelly’s Back Room, ku sipas pronarit Tony Rubbo, biznesi është rritur:

Puna ecte mjaft mirë para ligjit, por tani që njerëzit nuk mund të pinë cigare në klube e restorante, janë dyndur edhe më shumë tek lokali ynë."

Klienti Tom Fontana nga Nju Jorku e ka të qartë sa i dëmshëm është duhani, por shpreh kënaqësi që ka se ku të shkojë për të tymosur.

“Për fat të mirë ka lokale të tilla edhe në Nju Jork dhe shpresoj që të ketë edhe në Turqi ku njerëzit të mund të shkojnë të vrasin veten nga duhani, nëse duan."

Në një vend si Turqia që u bë frymëzim për shprehjen “të tymosësh si turku” vendimi për ndalimin e duhanit nuk është lehtë të zbatohet, pavarësisht nga gjobat.

Por edhe në Shtetet e Bashkuara kishte një periudhë kur dukej e pabesueshme që një ditë duhani nuk do të pihej në vende publike, por tani është bërë normale.//lk

XS
SM
MD
LG