Lidhje

Presidenti Obama thotë se politikat e tij po frenojnë recesionin


Një raport i ri dje tregonte se ekonomia amerikane u tkurr me një ritëm më të ngadaltë, vetëm 1 për qind, në tremujorin e dytë të vitit. Presidenti Barak Obama tha se politikat ekonomike të administratës së tij kanë ndihmuar për të frenuar recesionin. Presidenti tha dje se është optimist për drejtimin që po merr ekonomia, por shtoi se mbetet ende shumë punë për të bërë. Ai vuri në dukje papunësia në rritje është ende një shqetësim i madh dhe tha se ekonomia nuk do të rimëkëmbet plotësisht derisa të përmirësohet tregu i punës.

Megjithëse rruga drejt rimëkëmbjes mbetet e gjatë, shifrat e reja për ekonominë amerikane tregojnë se rënia ekonomike në Shtetet e Bashkuara të paktën është ngadalësuar.

Raporti paraprak që tregon një rënie prej 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në tre mujorin prill - qershor është një përmirësim i konsiderueshëm nga rënia 6.4 për qind e tremujorit të mëparshëm.

Presidenti Obama tha se ngadalësimi ishte rezultat i legjislacionit për stimulimin e ekonomisë që ai e miratoi pak javë pasi mori detyrën.

“Përparimi i atribuohet direkt Aktit për Rimëkëmbjen. Ky dhe hapa të tjera të vështira, por të rëndësishme gjatë gjashtë muajve të fundit na kanë ndihmuar për të frenuar recesionin”.

Zoti Obama vuri në dukje suksesin e një programi qeveritar që u jep blerësve të makinave deri në 4 mijë e 500 dollarë për të këmbyer automjetet e tyre të vjetra me modele të reja dhe më efiçente.

Nisma ka fituar aq shumë popullaritet saqë brenda disa ditësh, pothuajse shpenzoi të gjitha fondet në dispozicion. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dje me nxitim një ligj për 2 miliardë dollarë shtesë në mënyrë që programi të vazhdojë të funksionojë.

Por Presidenti e pranoi gjithashtu se shifrat pozitive ekonomike nuk duket se do të jenë edhe aq inkurajuese për amerikanët që vazhdojnë të hasin vështirësi për të gjetur punë.

“Unë mendoj se rimëkëmbja nuk do të jetë e plotë përsa kohë vazhdojmë të humbasim vende pune. Dhe unë nuk do t’i resht përpjekjet derisa çdo amerikan që do një pune, të ketë mundësi ta gjejë atë”.

Por shumë analistë parashikojnë që gjendja e tregut të punës të vazhdojë të keqësohet para se të fillojë ta marrë veten. Mark Vitner është ekonomist në bankën Wells Fargo.

“Ndërsa ekonomia hedh hapa drejt daljes nga kriza dhe rimëkëmbjes, bizneset kanë prirjen që të vazhdojnë të ngarkojnë me punë, punonjësit ekzistues. Pastaj mund të fillojnë të marrin në punë persona për vende pune të përkohshme dhe në fund fillojnë punësimin e plotë.

Mund të duhen rreth 9 muaj deri në një vit derisa forcimi i tregut të punës të jetë i tillë sa ta ulë përqindjen e papunësisë”. Punëdhënësit në Shtetet e Bashkuara kanë shkurtuar 6.5 milionë vende pune që kur filloi recesioni në vitin 2007 dhe përqindja e papunësisë në vend kohët e fundit arriti në nivelin më të lartë që prej 26 vjetësh, 9.5 për qind. //kk//

XS
SM
MD
LG