Lidhje

Në Betlehem të Pensillvanisë, një biznes i ri në mes të recesionit


Për më shumë se një shekull, uzinat e çelikut në Betlehem të Pensilvanisë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara ndihmuan në ndërtimin e Urës së Portës së Artë dhe pjesën më të madhe të godinave në lagjen Manhatan të Nju Jorkut. Por që prej viteve 1990-të, ndërsa konkurenca e huaj filloi të mbizotëronte industrinë, kaldajat e zhurmshme të uzinave të përpunimit të çelikut u braktisën. Tani, falë një ndërmarrjeje të re, një pjesë e zonës ku shtrihej industria e çelikut, po hapet përsëri për biznes.

Kaldajat e prishura të çelikut në Betlehem janë një shenjë e së kaluarës së qytetit. Për më shumë se një dekadë kjo uzinë është braktisur ndërkohë që natyra zhduku me ngadalë një simbol të fuqisë së pashembullt në të kaluarën e Amerikës.

"Është ndoshta shumë e vërtetë të thuhet se gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar, ky qytet përqëndrohej vetëm në një industri”.

Stivën Donçes punoi për uzinën e çelikut në Betlehem për më shumë se 30 vjet. Ai ende kujton ditën e parë aty.

“Ishte një përvojë shumë e mirë që të hyje në uzinë dhe të shikoje prodhimin e çelikut”.

Stivën Donçes u ngrit në pozitë, duke u bërë më në fund zëdhënës i kompanisë, dhe në një farë mënyre ai ende e ka këtë pozitë. Kjo uzinë do të jetë pjesë e Muzeut Kombëtar të Historisë së Industrisë së Çelikut dhe ai është president i tij.

Ndërsa historia e industrisë së çelikut të këtij qyteti do të ruhet, një kompani po përpiqet të hedhë rrënjë në Betlehem: firma e kazinove Sands.

Në vitin 2007 kompania e Las Vegasit Sands Casino bleu tokën dhe në maj të këtij viti hapi një kazino pikërisht ku ndodhej më parë uzina e çelikut.

Në mbështetje të së kalurës së industrisë së çelikut të Betlehemit, kazinoja ka përfshirë temën e industrisë së çelikut dhe kjo duket në dritat që ndiçojnë kazinonë.

Historia ironike, që nuk është hera e parë që ndodh në këtë qytet, është se kompania Sands pati vështirësi, që të siguronte çelikun për strukturën e kazinosë.

Ky është një investim prej gati 750 milion dollarësh në një qytet me shkallën e papunësisë prej rreth 9 për qind. Presidenti i kazinosë, Robert DeSalvio është optimist rreth së ardhmes, megjithëse kazinoja u hap në një kohë të vështirë ekonomike.

“Është një projekt shumë i madh dhe me kalimin e kohës ne do të shtojmë një hotel me 300 dhoma, një qendër mbi 5 mijë metra katrorë si dhe një lulishte prej 20 mijë metrash katrorë. Pra flitet me për një investim prej më shumë se 100 milion dollarësh”.

Por këto plane tashmë janë pezulluar. Ndërtimi i hotelit është pezulluar përkohësisht, pasi kriza ekonomike ka goditur rëndë biznesin e kazinove. Madje në qytet ekziston shqetësimi se investimi në një kazino për të përmirësuar gjendjen ekonomike mund të ketë pasoja negative. Por Stivën Donçes thotë se Betlehemi nuk ka shumë zgjedhje.

“Mbyllja e uzinës së çelikut nuk u prit mirë nga askënd, e veçanërisht ata njerëz që punonin aty. Po të jepej mundësia të zgjidhnim, ne do të donim industrinë e çelikut me fitim, por fakti është se kjo nuk do të ndodhë këtu. Pra cili është hapi i ardhshëm dhe si mund ta ndihmojmë komunitetin dhe ekonominë lokale”?

Zoti Donçes, ndërkohë ka për detyrë të ruajë atë që ka mbetur këtu dhe është optimist rreth perspektivës. Kjo dhomë e motorit me gaz do të ruhet dhe planet janë që të ndërtohet një mur qelqi, nga ku vizitorët mund të shikojnë pamjen e uzinës madhështore.

Nga këto projekte të mëdha industriale duhen ruajtur shumë gjëra ... nga zjarrfikësit që i shërbyen kësaj uzine deri tek makinat që prodhuan armët dhe anijet e përdorura në dy luftërat botërore.

Industria e çelikut ekzistoi për më shumë se një shekull në Betlehem. Tani ky qytet i ndryshkur përgjatë luginës Lihaj shpreson që kazinoja do ta kthejë çelikun në flori. (ze)

XS
SM
MD
LG