Lidhje

Intervistë me deputetin  e Partisë Socialiste Arben Malaj


Deputeti i Partisë Socialiste të opozitës, Arben Malaj, thotë se po përgatit keto ditë një platformë politike për të konkurruar në kongresin e 29 gushtit për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Zoti Malaj thotë në një intervistë me korrespondentin tonë në Tiranë, Ilirian Agolli, se pjesemarrja aktive e Partisë Socialiste në Parlament është një domosdoshmëri për detyrat dhe perfitimet që Bashkimi Evropian i ka paraqitur Shqipërisë për investime dhe liberalizimin e vizave.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj! Cili është komenti juaj lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe situatën në Partinë Socialiste pas tyre?

Arben Malaj: Këto zgjedhje duket se do të rezultojnë një shans i humbur për standartet europiane. Si një parti që respekton shtetin ligjor dhe institucionet, ne po presim edhe vlerësimin përfundimtar nga OSBE/ODIHR, një vlerësues ndërkombëtar, i cili do të qartësojë përfundimisht edhe qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare për këto zgjedhje. Por kjo nuk na pengon të themi që ne nuk arritëm përfundimisht që të plotësonim disa standarte, të cilat duhet të na ndihmonin në sfidat integruese të vendit. Dhe kjo përbën një kosto shtesë për vendin.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj! Asambleja e Partisë Socialiste ka thirrur një kongres në fund të gushtit…

Arben Malaj: Një nga produktet pozitive të Asamblesë Kombëtare ishte edhe fakti që për shkak të imponimit publik që iu bë përkrahësve të Partisë Socialiste, u arrit përfundimisht që të unifikohet një qëndrim që - Po! Partia Socialiste e sheh misionin e saj dhe i ka mundësitë e plota për të kontribuar vetëm në institucionet e demokracisë, ku vendi i saj tashmë edhe pse si një opozitë, ndoshta edhe të pamerituar, është pikërisht në parlamentin e vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Si do ta përshkruanit ju këtë periudhë kohore? A është kjo një periudhë për reflektim mbi rezultatet e zgjedhjeve, apo është një kohë kur po përgatiten kandidaturat e reja për kryetar të Partisë Socialiste?

Arben Malaj: Mendoj se një nga mësimet e para që ka marrë Partia Socialiste nga humbja e saj është kufizimi i demokracisë së brendshme, krijimi i modelit të keq politik me një lider absolut me idenë që ai do të kishte përgjegjësi absolute për humbjen. Ky eksperiment doli pa sukses dhe ndoshta nuk do të jetë më i vlefshëm as për Partinë Socialiste, por as për partitë e tjera politike shqiptare. Unë besoj shumë që Rama t’i përmbahet filozofisë së tij dhe një nga këto elemente është edhe mosrikandidimi, pasi i është ndërprerë mandati për shkak të një humbjeje. Nuk e shikoj këtë si një sfidë personale, por Rama duhet të mbahet mend më tepër si një njeri që solli përgjegjësi për rastet e humbjeve se sa si një njeri që, për interesa dhe solidaritet të momentit, do ta shkarravitë këtë filozofi dhe këtë paragraf të statutit të Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Në kongesin e fundgushtit midis 2-3 kandidaturave do të jeni edhe ju, apo jo? Çfarë përmban platforma juaj, apo paketa juaj në kandidimin për postin e kryetarit të Partisë Socialiste?

Arben Malaj: Me një grup ekspertësh dhe kolegësh të politikës dhe të ekonomisë, unë po punoj për ta paraqitur platformën time në Kongresin e 29 gushtit. Sigurisht që modernizimi i forcës politike është shtylla kryesore. Unë besoj se prioriteti kryesor i Partisë Socialiste është efikasiteti i saj brenda institucioneve. Partia Socialiste në asnjë mënyrë nuk duhet të mungojë në parlamentin e vendit të saj, tashmë kur vendi është duke plotësuar elementët teknikë të përfitimit të lëvizjes së lirë, - dhe këtë janë mijëra shqiptarë që e presin. Ne duhet të rritim efiçensën në parlament përmes kontrollit parlamentar në mënyrë që qeveria të mos e fshehë më dështimin se përse shqiptarët mbetën jashtë lehtësimit të vizave. Nuk kërkohet një vendim politik; kërkohet plotësim i kushteve teknike dhe kjo është detyra numër një e qeverisë.

Pavarësinë e maxhorancës mund ta nxjerrë në pah opozita. Tjetër… Vendi është në fazën që duhet të marrë statusin e çeljes së negociatave për t’u bërë kandidat i Bashkimit Europian. Nuk flitet thjesht për një fitore politike; flitet për një akses në rritje në politikat e Bashkimit Europian dhe në fondet e tij për tre elementë të rëndësishëm: 1) Fonde më shumë për të ngritur kapacitetet e një shteti ligjor dhe një administratë efikase, 2) Fonde më shumë për zhvillimin rural ku Shqipëria ka probleme të mëdha, sepse jeton pjesa më e madhe e popullsisë në zona bujqësore ku prodhohet 22 për qind e prodhimit kombëtar, dhe 3) Fonde më shumë për bashëpunimin rajonal, pasi ekonomia shqiptare nuk mund të përballojë kriza pa zgjeruar mundësinë për tregje të reja.

Pra, ne nuk duhet ta quajmë fatkeqësi faktin që nuk erdhëm dot në pushtet dhe që po rrimë në opozitë për një mandat të dytë. Nuk është e lehtë për mijëra socialistë, nuk është e lehtë kur kjo qeveri abuzon me pushtetin e saj ndaj mbështetësve dhe votuesve tanë, por përballë një fakti që ka ndodhur ne duhet ta orientohemi pikrësisht nga sfidat dhe jo nga analiza e të shkuarës dhe as nga një keqpërdorim i solidaritetit socialist, qoftë ky edhe për interesa kongresuale, duke i dhënë Partisë Socialiste një imazh krejt ndryshe nga çfarë ajo është në thelbin e saj; është një parti moderne me kapital njerëzor shumë të kualifikuar, njerëz me vlera dhe përgjegjësi konkrete, të cilat duhen maksimizuar dhe nuk duhen keqpërdorur. //ii

XS
SM
MD
LG