Lidhje

Studim për vetëvrasjet në ushtrinë amerikane


Ushtria e Shteteve të Bashkuara po financon një studim pesëdhjetë million dollarësh që do të përfshijë gjysmë-milion ushtarë, në një përpjekje për të gjetur arsyet e një numri rekord të vetëvrasjeve dhe çka mund të bëhet për të ndryshuar këtë dukuri. Ky studim pesë-vjeçar po menaxhohet nga një agjenci civile, Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor, dhe përfshinë kërkues të aftë nga disa universitete presigjioze në vend.

Ekspertët e quajnë vetëvrasjen një “dukuri të rrallë,” por vitet e fundit kjo dukuri në ushtrinë amerikane nuk ka qenë aq e rrallë.

Numri i vetëvrasjeve në ushtrinë amerikane ka arritur shifra rekord, 115 në vitin 2007, dhe një rekord tjetër prej 139 vitin e kaluar. Gjatë këtij viti pritet rritje e konsiderueshme e shifrave të vetëvrasjeve në ushtrinë amerikan.

“Sot numri i vetëvrasjeve është më i lartë se sa në vitin 2008. Nuk ka asnjë dyshim mbi këtë.”

Ky ishte gjenerali Piter Kiarelli , zëvendës shef i stafit të ushtrisë amerikane. Ai ishte alarmuar nga numri i madh i vetëvrasjeve në ushtri gjatë dy muajve të parë të këtij viti, por ai tha se ky ritëm kishte rënë që atëherë.

“Në janar dhe në shkurt kanë ndodhur dyzet e një vetëvrasje. Në këto katër muajt e fundit kanë ndodhur edhe pesëdhjetë e një vetëvrasje tjera, jo gjithat janë të konfirmuara, duke sjellur një total prej nëntëdhjetë e dy vetëvrasjeve që kanë ndodhur deri më sot.”

Ushtria amerikane ka filluar disa programe që kanë për qëllim trajnimin e ushtarëve dhe eprorëve të tyre të jenë të vëmendshëm për shenja dëshpërimi në mesin e tyre dhe shokëve të tyre, dhe t’i sjellin të prekurit në klinika për të marrë ndihmë profesionale.

Por përpjekjet nuk e kanë frenuar valën e vetëvrasjeve, kështu që udhëheqësit e ushtrisë duan të marrin fakte shkencore që japin hollësi për shkaqet e kësaj dukurie, dobësitë e individëve, dhe mënyrën më të mirë të kurimit. Doktor Tomas Insel është Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor.

“Vetëvrasja është vetëm maja e ajsbergut. Përmes këtij studimi, ne do të mësojmë shumë si për ekspozimin ndaj këtij rreziku, ashtu edhe për modifikimin dhe përmirësimin e aftësisë për ta përballuar. Dhe për këtë gjë gjithë vendi ka nevojë, jo vetëm ushtria.”

Shumë njerëz brenda dhe jashtë ushtrisë pandehin se rritja e numrit të vetëvrasjeve mund t’i atribuohet stresit nga dislokimet e shpeshta nëpër zona të luftës, ku ushtarët përjetojnë rrëziqe të përditshme dhe ndarje nga familjet e tyre.

Por mjeku i cili do të udhëheqë këtë studim të gjërë, Robert Ursano, thotë se shkencëtarët nuk mund të tërheqin një paralele në mes të numrit të dislokimeve dhe vetëvrasjeve, të paktën jo para përfundimit të kërkimeve.

Në fakt, Doktor Ursano thotë se faktori kryesor që besohet të kontribuojë në vetëvrasje nuk është unik për ushtrinë, megjithëse mund të përkeqësohet nga dislokimet e shumta.

“Ekzistojnë disa shkaktarë të vetëvrasjeve që ne i dimë, shkaktari numër një është në fakt ndarja nga një marrëdhënie dashurore. Kjo është e vërtetë pavarësisht nëse personi është ushtarak apo civil. Problemi është, natyrisht, se ka me mijëra mardhenie dashurie që tjetërsohen por nuk përfundojnë me vetëvrasje. Pyetja shtrohet se cilat nga këto përfundojnë në vetëvrasje?"

Doktor Ursano thotë se i njëjti lloj stresi ndikon tek njerëz të ndryshëm në mënyra të ndryshme. Ndërsa një person çlirohet nga stresi i ndarjes nga e dashura ose një dislokimi në zone lufte, të tjerët do të ndikohen dukshëm, dhe një numër i vogël i tyre do të vetëvriten.

Përmes këtij studimi, Doktor Ursano dhe kolegët e tij nga universitetet e Harvardit, Kolumbias, dhe Miçigenit do të shpresojnë të identifikojnë personalitetet, gjenetikën, demografinë, faktorët mjekësorë dhe faktorë tjerë që mund të parashikojnë tendencën drejt vetëvrasjes në mesin e ushtarëve dhe civilëve.


Pastaj ata do të shikojnë për mënyra të trajtimit të njerëzve me tendenca të tilla për të reduktuar mundësinë e disa llojeve të stresit që çojnë në përpjekje për të bërë vetëvrasje. Ata do të shikojnë personelin mjekësor dhe dosjet mjekësore të ushtarëve të cilët kanë vrarë vehten dhe do intervistohen anëtarët e familjeve të tyre dhe shokët e tyre.

Drejtori i Institutit Kombetar të Shëndetit Mendor, Doktor Insel tha se ai beson se ky mund të jetë studim ‘monumental’ që do të ndryshojë mënyrën se si Amerika, dhe ndoshta edhe bota, merret me një problem të rëndësishëm, por që nuk e kanë kuptuar atë mirë.

Ndërkohë, ushtria po vazhdon zgjerimin e programeve të saj trajnuese, dhe do të hapë më shumë qendra për të reduktuar stresin dhe për të ofruar këshillime, në përpjekje për të pakësuar numrin e vetëvrasjeve në rritje shumë kohë para përfundimit të këtij program pesë vjeçar.

Në të vërtetë, ekspertët do të bëjnë publike rezultatet e këtij studimi ndërsa ato janë gati në mënyrë që, siç thotë doktor Insel, të marrim informacione vepruese për udhëheqësit e ushtrisë për t’i përdorur ato sa më shpejt që të jetë e mundur, duke marrë parasysh se trupat amerikane vazhdojnë të kenë stres të madh nga dislokimet e shumta në Irak dhe Afganistan.

XS
SM
MD
LG