Lidhje

Sekretarja e Shtetit Klinton fillon një vizitë në 7 vende të Afrikës


Sot Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton fillon një vizitë në 7 vende të Afrikës. Turneu 11 ditësh ka për synim të theksojë mbështetjen e administratës Obama për demokracinë, rritjen ekonomike dhe zgjidhjen e konflikteve në Afrikë. Gjatë vizitës në Kenia, zonja Klinton do të flasë në forumin amerikano-afrikan për ekonomi dhe tregti. Ajo do të takohet edhe me udhëheqësin e përkohshëm të Somalisë.

Zyrtarët amerikanë thonë se vizita ka për synim të tregojë angazhimin amerikan ndaj Afrikës si një ndër përparësitë e politikës së jashtme amerikane. Muajin e kaluar presidenti Obama shkoi në Ganë, vizita e tij e parë në Afrikën nënsahariane që kur u zgjodh president.

Gjatë një vizite të ngjeshur, Sekretarja e Shtetit Klinton do të takohet me udhëheqësit e 7 vendeve afrikave, Kenias, Afrikës së Jugut, Angolës, Republikës Demokratike të Kongos, Nigerisë, Liberisë dhe Kepit të Gjelbër.

Zonja Klinton është folësja kryesore sot në Forumin e Tetë amerikano-afrikan për Bashkëpunim Tregtar dhe Ekonomik. Forumi synon të ndihmojë shtimin e shkëmbimeve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Afrikës. Zonja Klinton do të diskutojë mbi mënyra të reja për zhvillim, duke theksuar investimet dhe rritjen ekonomike, si dhe forcimin e lidhjeve të Afrikës me tregjet globale.

Johnie Carson, zyrtari më i lartë amerikan për Afrikën, bën pjesë në delegacionin që shoqëron zonjën Klinton:

“Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të kenë marrëdhënie me bazë të gjerë me këtë kontinent, jo thjesht me synimin për t’i ofruar ndihma, por edhe për të hapur dhe nxitur mundësi biznesi.”


Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Ron Kirk, i cili po ashtu bën pjesë në delegacion, thotë se megjithë disa raste të suksesit ekonomik në Afrikë, një numër vendesh duhet të bëjnë ndryshime për të mundësuar rritje investimesh dhe biznesi.

“Ne do t’i shqyrtojmë një nga një rastet. Nuk mund të ndërtohet një shoqëri e fortë dhe konkurente, nëse nuk investohet në arsimimin e popullatës, si të burrave ashtu edhe të grave. Nuk mund të dërgosh mallra në treg nëse nuk ke infrastrukturën bazë, dhe ndërtimi i rrugëve si dhe elektrifikimi kërkojnë kohë.”

Në Nairobi, zonja Klinton takohet edhe me udhëheqës të të dyja partive kryesore në qeverinë kombëtare të unitetit për t’i nxitur të ndërmarrin hapa drejt ripajtimit.

Sekretarja e Shtetit po takohet në Nairobi me Sheikun Sharif Ahmed, kreu i qeverisë së përkohshme të Somalisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin qeverinë e brishtë, e cila përballet me kryengritësit al-Shabab, që kërkojnë një qeveri islamike. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë lëvizjen al-Shabab një organizatë terroriste me lidhje me al-Kaidën.

I dërguari për Afrikën Johnie Carson shprehet me tone kritike ndaj Eritresë fqinje për mbështetjen e al-Shababit. Gjendja në Somali, thotë ai, nuk po krijon vetëm paqëndrueshmëri, por edhe uri:

“Refugjatët somalezë po ikin për t’u strehuar në Kenia në masën 5-6 mijë vetë në muaj. 40 për qind e njerëzve në Somalinë jugore janë në nevojë urgjente për ushqim.”


Gjatë turneut të saj, zonja Klinton do të flasë edhe për sigurinë e ushqimit në Afrikë. Ekonomisti George Ayiettey në Uashington kujton vitet ’60 kur kontinenti afrikan eksportonte ushqim dhe nuk varej nga ndihma e huaj për përmbushjen e nevojave:

“Afrika merr ndihma të huaja dhe më pas i përdor fondet për të importuar ushqim, pra Afrika varet tek ndihma e huaj për t’u ushqyer. Në mënyrë që ky kontinent të ecë përpara, duhet të prodhojë ushqim të mjaftueshëm për të ushqyer veten dhe pikërisht në këtë pikë vëmendja e zonjës Klinton do të ishte shumë e vlefshme.”

Në Afrikën e Jugut Sekretarja e Shtetit do të flasë edhe për problemin e Sidës. Ajo do të takohet me udhëheqës jug-afrikanë për t’i nxitur t’i ushtrojnë presion presidentit të Zimbabvesë Robert Mugabe që të zbatojë marrëveshjen për ndarjen e pushtetit me kryeministrin Morgan Çangirai.

Sekretarja e Shtetit pritet t’i bëjë thirrje Nigerisë së pasur me naftë që të luftojë korrupsionin. Ajo do të shkojë edhe në Republikën Demokratike të Kongos, ku gjatë dekadës së fundit janë zhvilluar 2 luftra. Kjo zonë ka ndër nivelet më të larta të dhunës seksuale kundër grave nga ushtarë dhe grupe rebele.//ii

XS
SM
MD
LG