Lidhje

Mijra mund të vdesin nga gripi H1N1 deri sa të krijohet vaksina


Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se virusi H1N1 do të infektojë 2 miliard njerëz, ose një në tre persona , gjatë dy viteve të ardhshme. Ndërsa ky grip ka marrë jetën e 800 personave deri tani, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mijëra të tjerë mund të vdesin, derisa të përgatitet dhe të hidhet në qarkullim një vaksinë e efektshme.

Këtë vit epidemia u shpërnda anembanë botës me shpejtësi rekord. U deshën më pak se dy muaj që virusi H1N1 të përhapej, ndërsa epidemitë e mëparshme merrnin 6 muaj ose më gjatë.

Dr. Keiji Fukuda i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëron se kjo përhapje globale është ende në fazën e hershme.

“Popullsia globale është shumë e madhe, dhe është e qartë që ne do të vazhdojmë të shohim përhapjen e këtij virusi përmes dhe ndërmjet vendevetë ndryshme”.

Shumica e pacientëve të sëmurë kanë qenë adoleshentë mes moshës 12 – 17 vjeç.
Por virusi është përhapur dhe më gjerë në komunitete dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se tani po preken edhe mosha më të rritura.

Megjithëse të rinjtë dhe gratë shtatëzëna janë ende më të rrezikuarit nga virusi H1N1, zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë se të sëmurët nga zemra, me probleme në frymarrje, diabet, kancer dhe obeziteti janë po ashtu më të ndjeshëm ndaj virusit.

Disa vaksina ekperimentale janë prodhuar klinikisht, të tjera do të nisin së shpejti.

Agjensia e ilaçeve Europiane thotë se testimi i vaksinave në masë të gjerë do të anashkalohet, me qëllim që vaksina t’i kalojë popullatës sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zyrtarë të shëndetësisë në Britani, Gjermani, Greqi, Francë e Suedi kanë njoftuar se do të nisin vaksinimin e popullatës mundsisht brenda pak javësh.

Dr. Fakuda i OBSH, nuk e kritikon këtë vendim, por shpreh shqetësimin për nxitimin në prodhimin e vaksinës.

“Ka disa gjera të cilat nuk mund të tolerohen. Dhe një nga këto gjëra është siguria e vaksinës. Vaksina duhet të jetë e sigurt”.

Ndërkaq, OBSH, tha se vendet me infeksionin më të përhapur kanë kaluar nga testet individuale të të prekurve, në vëzhgimin dhe njoftimin e prirjes së përhapjes së virusit tek popullata.

Sipas kësaj Organizate, testimi i pacientëve ka kapërcyer kapacitetet laboratorike të mjaft vendeve. Dr. Fakuda beson se zyrtarë të shëndetësisë mund të tregojnë me saktësi përmasat e epidemisë.

“Ne e dimë që numri i përgjithshëm i laboratorëve që kanë konfirmuar rastet është vetëm një përqindje e numrit të përgjithëm të rasteve”.

Së fundmi, Organizata Ndërkombëtare e Shëndetit tha se nuk do të publikonte më të dhënat me numrin e rasteve të reja të gripit për të gjitha vendet. //

XS
SM
MD
LG