Lidhje

Pas shumë vitesh, Norvegjia nderon përsëri shkrimtarin e saj Nobelist


Norvegjia po shënon 150 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të saj nobelist Knut Hamsun, duke e përkujtuar atë me pullë postare dhe një muzeum në fshatin e lindjes, pavarësisht nga simpatia e tij për nazizmin gjatë luftës së dytë botërore. Muzeu Hamsun u hap më 4 gusht në Hamaroey, fshati i fëmijërisë së autorit, përgjatë bregdetit norvegjez. I njohur për romanin e tij “Hunger” më 1920, Hamsun fitoi çmimin Nobel për romanin “Growth of the Soil”. Disa kritikë e kanë cilësuar atë si “babain e letërsisë bashkëkohore”. Ndërsa Ernest Heminguei citohet të ketë thënë se, “duke lexuar Hamsun, mësova si të shkruaj”

Si shkrimtari i parë norvegjez fitues i cmimit Nobel, para luftës së dytë botërore, Hamsun nderohej si hero në Norvegji. Në kohën e luftës, Hamsun u bë admirues i Hitlerit. Medaljen e tij të Nobelit ai ia dhuroi Gebelsit, ndërsa Hitleri e ftoi atë në Berlin, takim që u shfrytëzua nga propaganda naziste për t’u bërë thirrje norvegjezëve që të përkrahnin qeverinë e Vidkun Kuislingut.

Nga ana e tij, Knut Hamsun e shikonte Hitlerin si shpëtim të Norvegjisë nga ndikimi i mundshëm komunist sovjetik. Ai ushqente një ndjenjë jo miqësore edhe ndaj Britanisë dhe mendonte se një Gjermani e fuqishme do të ishte kundërpeshë ndaj ndikimit britanik në vendet skandinave.

Më 1945, kur u njoftua se Hitleri kishte vrarë veten, Hamsun shkroi rreth tij një artikull plot lëvdata. Pas luftës, Hamsun dhe bashkëshortja e tij, Marie, gjithashtu shkrimtare dhe përkrahëse e Kuislingut, u arrestuan dhe u gjykuan. Ndërsa Vidkun Kuislingu u dënua me pushkatim, Marie Hamsun, u dënua me disa vjet burgim, ndërsa Knut Hamsun u dënua financiarisht dhe disa prona të tij u sekuestruan. Hamsun vdiq në vitin 1952, në moshën 92 vjeçare.

Që nga ajo kohë, sa herë që afrohet 4 gushti, ditëlindja e tij, shoqëria norvegjeze përfshihet nga debate duke shtruar pyetjen; a duhet kujtuar Knut Hamsun si shkrimtar nobelist ndërsa mban njollën si përkrahës i nazizmit? Ministria norvegjeze e Kulturës thotë se nderimi për shkrimtarin Hamsun në 150 vjetorin e lindjes nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë si pajtim me mbështetjen që Hamsun i dha regjimit nazist.

http://astritlulushi.wordpress.com/
XS
SM
MD
LG