Lidhje

Bill Klintoni në Phenian dhe politika e jashtme amerikane

  • Elizabeth Lee

Ish presidenti Bill Klinton bëri një vizitë të papritur të martën në Korenë e Veriut, ku u takua me udhëheqësin e atij vendi për të siguruar lirimin e dy gazetareve të burgosura amerikane. Megjithëse administrata e Presidentit Obama këmbëngul se kjo ishte një vizitë private humanitare, disa kritikë e shikojnë atë si një zbutje të politikës amerikane ndaj Koresë së Veriut. Por cilat do të jenë implikimet politike të vizitës së ish-Presidentin Klinton në Korenë e Veriut?

Ky mund të jetë fundi i një tmeri për dy gazetaret amerikane, por vizita e Presidentit Bill Klinton, që çoi në lirimin e tyre shënon fillimin e një sfide shumë më të madhe mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Vizita e zotit Klinton bëhet në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar po i bëjnë presion Koresë së Veriut, duke vendosur sanksione strikte pasi ky shtet komunist kreu një provë bërthamore, testoi disa raketa balistike dhe braktisi bisedimet 6-palëshe për çarmatimin bërthamor.

Eksperti i çështjeve aziatike, Peter Brookes paralajmëron se vizita e ish presidentit Klinton mund të shikohet si zbutje e politikës amerikane ndaj Koresë së Veriut.

“Nuk ka dënim për veprimet e koreno-veriorëve. Ne mund ta gjejmë veten në një situatë si të thuash të rrezikut moral, duke shpërblyer sjellje negative. Dhe kjo do të ndodhë përsëri në të ardhmen”.

Por analisti për çështjet e Azisë Lindore, Dennis Wilder, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kishin rrugë tjetër.

“Vendimi që zoti Klinton të shkonte atje ishte rruga e duhur sepse ai solli me vete dy gazetaret. Dhe si qytetar privat me mision humanitar, ky ishte një veprim shumë pozitiv”.

Zoti Wilder thotë se Koreja e Veriut është përpjekur të gjejë mënyra për të ulur presionin e krijuar nga sanksionet dhe i shfrytëzoi si pengje gazetaret Laura Ling dhe Euna Lee.

“Nuk ka dyshin se ato u bënë një mjet negocimi. Kim Xhong Ili kurrë nuk pati synimin t’i mbante në burg dy gazetaret, megjithëse i dënoi ato me 12 vjet burgim”.

Administrata e presidentit Obama është distancuar nga udhëtimi i zotit Klinton, duke insistuar se kjo nuk ishte një vizitë zyrtare e Shtëpisë së Bardhë.

“Ne përfunduam me sukses një mision humanitar. Ky ishte një mision privat”.

Por analisti Dennis Wilder thotë se lidhjet e Bill Klintonit me administratën nuk mund të injorohen.

“Fakti që Bill Klintoni nuk është vetëm anëtar i Partisë Demokratike dhe ish president i Shteteve të Bashkuara, por edhe bashkëshorti i Sekretares së tanishme të Shtetit, tregon se ai ka shumë lidhje me administratën dhe nuk është thjeshtë një qytetar privat amerikane”.

Kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë tashmë Koresë së Veriut dy gjëra që ajo kërkoi: vizitë nga një zyrtar i lartë amerikan dhe një falje nga administrata.

Muajin e kaluar, Sekretarja Klinton kërkoi falje gjatë një takimi me qytetarët amerikanë.
“Mendoj se çdo kujt i vjen keq që kjo ndodhi”.

Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Vizita e fundit e një zyrtari amerikan në Korenë e Veriut ishte gjatë administratës së presidentit Klinton para 9 vjetësh.

Ekspertët thonë se Koreja e Veriut po përpiqet të krijojë përsëri lidhje me Shtetet e Bashkuara tani që në Shtëpinë e Bardhë është një president i ri.

Komuniteti ndërkombëtar do të ndjekë nga afër politikën e presidentit Obama ndaj shtetit komunist dhe nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë politikën e vijës së ashpër ndaj Koresë së Veriut. (ze)

XS
SM
MD
LG