Lidhje

Para në shkëmbim të makinave që harxhojnë shumë karburant


Senati amerikan pritet të miratojë të enjten një shumë shtesë prej 2 miliardë dollarësh për programin shumë popullor që synon të nxisë amerikanët të shkëmbejnë makinat e vjetra me modele të reja më efikase.

Udhëheqësi i shumicës demokrate Harry Reid tha se Senati ka rënë dakord ta hedhë në votë planin, pasi të shqyrtojë amendamente të mundshme që do ta kufizonin programin. Pritet që të gjitha amendamentet e propozuara të dështojnë.

Programi federal ka ndihmuar në rritjen e vëllimit të shitjes së makinave. Ky program u ofron pronarëve të makinave deri në 4 mijë e 500 dollarë kur sjellin makinën e vjetër dhe blejnë një makinë të re që nuk djeg shumë karburant.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projekt-ligjin javën e kaluar për të shtuar fondet për programin, të cilit thuajse i kishte përfunduar fondi fillestar prej 1 miliardë dollarësh brenda pak ditësh.

Presidenti amerikan Barak Obama ka premtuar ta zgjasë këtë nismë popullore. Administrata e tij ka thënë se programi mund të falimentojë brenda javës, nëse Kongresi nuk miraton fondin shtesë.//lk

XS
SM
MD
LG